Vendosni fjalën kyçe....

SAMITI I DIASPORËS – “Zoti kryeministër, unë do të tregoj si vidhet. Hajdutin kape ti.”


Në foto: KM Edi Rama dhe Drejtori i Informacionit Endri Fuga

*Nga Andy Wharhol

Samiti i Diasporës është një ndër eventet tipike qeveritare që në vetvete kanë për qëllim futjen në xhep të një shume kolosale parash nga individë që janë shumë afër kryeministrit, po afër fare. Këta individë shtrihen që nga Zyra e Protokollit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe deri në Ministri dhe Bashkinë Tiranë.

Por le të mos hiqemi si moralistë të kulluar, në thelb nuk është fundi botës nëse këta organizatorë mund të marrin një 10% rryshfet, sepse deri te renta 10% është si rregull i pashkruar për punët me shtetin në këtë vend.

Problemi është që këta zyrtarë kanë krijuar skema të mirëfillta vjedhje të mëdha fondesh publike.
Aq të mëdha së të përfshihesh në këto evente është më e leverdishme financiarisht se sa të transportosh kokainë. Sepse mund të fitosh 100.000 euro brenda natës duke dhënë foni me qera.

Si funksionon skema korruptive.

Do përpiqem ta shpjegoj sa më thjeshtë për lexuesit e Hashtag.al,  duke e lidhur me tabelën e shpenzimeve të këtij aktiviteti. Le të bëjmë pak ekonomi:

Qeraja e “Ekspocity” një ditë aktivitet dhe 9 ditë parapërgatitore. Shuma 100 milionë lekë.

Skena e grupit “ColdPlay” që është një ndër skenat më të komplikuara, kërkon 2 ditë montim. (Lexoni këtu tabelën e çmimeve)

Vetë “Ekspocity” për realizimin e një panairi ku marrin pjesë më shumë se 30 firma i duhen 3 deri në 4 ditë parapërgatitore. Shfaqja spektakël e “Superbowl” ku instalohen skena e muzikantë bëhet për 10 minuta.
Montimi i një skene të “Rolling Stones” zgjat 2 ditë.

Pyetja shtrohet: Çfarë shpikje do bëjnë organizatorët që kanë bllokuar sallën me qera për 9 ditë, kur eventi zgjat 1 ditë?

Pastaj si shpjegohet ky çmim kaq i shtrenjtë ku holli i Pallatit të Kongreseve është pothuaj me të njëjtin çmim, por është në qendër të Tiranës?
Pa llogaritur që sallat për montime merren shpesh pa lek ose me 30% të çmimit.

Skenografia në preventiv kushton 170 milionë lekë.

Ç’është kjo skenografi që kushton kaq shumë?!

Kush është ai marifetxhi që harxhon një shumë kaq të madhe parash për derrasa e televizorë në një vend ku njerëzit vuajnë përditë për të siguruar jetesën?
Kush janë këta persona që kanë firmosur për këtë skenografi.
Skenografitë e Zefirelit në Amfiteatrin e Veronës kushtojnë kaq sa këto dhe përdoren 10 vjet.
Pyetja tjetër është ku shkon pastaj kjo skenografi? Kush e merr në dorëzim për hetimet e prokurorisë?
Ai ose ajo që do vendosë emrin në autorësinë e kësaj skenografie do ketë dhe barrën e përgjegjësisë për skemën e vjedhjes me këtë skenografi.

150 Milionë lekë Kancelari pjestuar për 800 persona.
187.000 lekë të vjetra kancelari për një person.

A ka shembull më të madh të vjedhjes se sa ky?
Vras mendjen se çfarë sasie kancelarie mund të ketë nevojë një njeri me këtë shumë monetare.

Mbrëmja Gala 120 milionë lekë.

150.000 lekë (të vjetra) për person mbrëmja Gala.
Nëse do bësh një dasmë tek “Sheratoni” ose “Rogneri” kushton maksimumi 120.000 lekë personi ku ka 3 pjata, pije dhe shampanjë. Plus orkestër falas.
Ja po mendoj sikur këto fonde shkojnë për Ermal Metën në Pallatin e Kongreseve. A thua Ermal Meta kushton kaq shumë sa t’ia vlejë bileta e koncertit 130 Euro? Absolutisht jo.

Do habitesha nëqoftëse publiku në Itali do paguante më shumë se 50 Euro për Ermal Metën sepse koncerti i “Coldplay” filllon nga 50 Euro.

Dhe si gjithmonë është dhe teknika si pjesë e vjedhjes së fondeve.
10 milionë lekë qira për tek Pallati i Brigadave. Salla e Pallatit të Brigadave që mban jo më shumë se 200 persona ka të njëjtën nevojë teknike si tek Pallati i Kongreseve, ku “Opera” paguan të njëjtën shumë.

Mjafton një hetim i thjeshtë me të gjitha këto fakte më lart, për të vërtetuar që rreth 70 % e fondeve vidhen.
Kush i vjedh është shumë e lehtë të zbulohet. Ai që i lëvron këto prokurime me çmimet e referencës.
Bashkëpuntore janë firmat private që firmosin.

Kryeministri Rama kur del e ju shet pallavra njerëzve për korrupsionin duhet të shikojë tek zyra e tij sepse aty i ka.
Asgjë në Shqipëri nuk është e komplikuar.
Përkundrazi është aq e thjeshtë sepse vartësit e kryeminsitrit prej kohësh nuk kujdesen më t’i bëjnë me elegancë pislliqet e tyre.

Madje tashmë këtë gjë e kanë mësuar dhe vëllezërit e tyre në Kosovë dhe po e aplikojnë me sukses në eventet e tyre.

 

*VINI RE: Andy Warhol është nofkë/alias. Autori është funksionar publik. Ky shkrim u konceptua enkas për Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *