Vendosni fjalën kyçe....

Saimir Tahiri mesazhe të forta, flet dhe për çantën e zezë të “Baba Takut”


Disa mesazhe të forta janë dhënë sot para derës së Prokurorisë për Krime të Rënda nga ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

Tahiri sot u njoh me akuzat e prokurorisë, mes të cilave trafiku ndërkombëtar i drogës apo ajo e grupit kriminal dhe përveçse e ka quajtur një proces të turpshëm, kanë spikatur disa mesazhe të tjera.

“Prokurori e komanduar”, “Proces politik”, “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë”. “S’më duhet mbështetja e Edi Ramës” e deri te përmendja e çantës së zezë të “Baba Takut” qenë fjalët kyçe të ish-ministrit të ndryshuar në pamje, përveç asaj të zakonshmes “E vërteta ime, do t’i shkoj deri në fund drejtësisë”.

PJESË NGA PYETJE-PËRGJIGJET ME GAZETARËT:

TAHIRI: Akuza ishte më e rëndë se kaq, trafik droge, grup kriminal. Nuk është se ka ndonjë surprizë të madhe, prokuroria e komanduar siç e nisi, ashtu e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes së brendshme që kam për t’u marrë me këtë histori, nuk dua të merrem.

Dua t’i shkoj deri në fund drejtësisë.

Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar, kam parasysh politikë, krim dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç’është Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.

Nuk kanë qenë bashkë dhe unë po e shoh…

Tahiri sot, para gazetarëve

GAZETARJA: A keni frikë për arrestimin tuaj?

TAHIRI: Mua nuk më frikëson gjë përveç të vërtetës. Nuk më intereson se çfarë bën prokuroria, më intereson veç e verteta.

Unë di që ky është një proces i turpshëm, i komanduar nga fillimi deri në fund. Do ia dal dhe kësaj!

Mos u përpiqni të gjeni mesazhe të koduara, nuk kam, jam i drejtëpërdrejtë. E vërteta ime është komplet e kundërta e asaj që kërkon prokuroria. Gjykata dhe prokuroria në Itali më dha të drejtë duke thënë që Saimir Tahiri nuk ka pikë lidhje me këtë histori, të ishte për prokurorinë këtu unë do isha brenda 24 orëve i arrestuar.

GAZETARJA: Është folur se Saimir Tahiri disponon materiale shantazhuese…

TAHIRI: Këtij vendi kaq të vogël i mjafton Baba Taku me çantën e zezë, nuk i duhet dhe Saimir Tahiri.

Unë kam të vërtetën time.

GAZETARJA: A keni mbështetjen e Edi Ramës?

Nuk më duhet fare. Mua më duhet vetëm e vërteta ime. Nëse mendoni se në këtë vend duhet patjetër dikush, të jesh në sqetullën politike të dikujt, unë ia dal dhe pa këto.”/ Hashtag.al

Spartak Braho, alias “Baba Taku”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *