Shqipëria dhe Kosova, që tashmë janë dy kombëtare më vete, janë përplasur jo pak për të bindur lojtarë të ndryshëm me prejardhje shqiptare që të veshin fanelën përkatëse.
Një rast i tillë po ndodh edhe me mbrojtësin e talentuar të Salcburgut në Austri, Albert Vallçi.
23-vjeçari luan për një nga ekipet më të mira të viteve të fundit në kampionatin austriak dhe e ka pohuar interesimin e Shqipërisë dhe Kosovës ndaj tij në një intervistë për mediat atje.
“Kohët e fundit kam marrë kërkesa nga Kosova dhe Shqipëria. Më kanë ftuar për të qenë pjesë e kombëtares. Megjithatë unë sapo kam ardhur te Salcburgu dhe për momentin dua të përqendrohem te ekipi im.” – ka thënë Vallçi.
Kosova i luan ndaj Bullgarisë dhe Danimarkës 2 ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2020, kurse Shqipëria i luan ndaj Turqisë dhe Andorrës 2 ndeshjet e saj.