Një burrë ka plagosur me thikë një prift të Montrealit, ndërsa ai po kryente meshën e mëngjesit. Momenti i sulmit me thikë në kishën më të madhe të Kanadasë është filmuar nga kamerat.
Videoja e publikuar në rrjet, tregon momentin kur ati Claude Grou po zhvillonte ceremoninë kur një burrë i veshur me rroba të zeza dhe një kapele të bardhë bejsbolli i afrohet me shpejtësi.
“RT” shkruan se i riu e ndjek priftin nga pas, duke rrëzuar një nga qirinjtë dhe më pas e godet atë dy herë duke e rrëzuar përtokë.
Prifti Grou ngrihet menjëherë ndërsa dy njerëz të tjerë përballen me sulmuesin, i cili nuk bën asnjë përpjekje për të ikur nga skena.
Prifti u dërgua në spital, ku u trajtua për lëndime të lehta në trup. Sulmuesi 26 vjeçar u ndalua dhe u arrestua nga policia. Ai pritet të dalë përpara një gjykate penale të shtunën.
Në momentin kur ndodhi incidenti kishte rreth 60 njerëz në kishë.