Templates by BIGtheme NET

Influenca ruse dhe mediat e partisë

Blog-Alias: Jozef Shvjek

Ditët e fundit kazani mediatik ka arritur një pikë të re vlimi pas historisë me agjentë rusë të infiltruar dhe me lidhje të dukshme apo padukshme të lidershipit të PD në Shqipëri me demonin e kudondodhur rus. E gjithë kjo vëmendje në crescendo vjen pasi materialet e shpërndara në media përmbushin pritshmëritë e qeverisë së Edi Ramës për një ndryshim të vëmendjes së publikut. Sigurisht, kjo skemë e pastër është pjesë e kundërfensivës Rama ndaj atij që duket si një kundërshti e gjerë dhe në rritje popullore ndaj qeverisjes së tij.

Detajimet e kësaj çështjeje që nisin me një shkrim të gazetarit Besar Likmeta, dhe që kulmojnë me një shkrim të portalit të majtë amerikan Mother Jones disa muaj më pas po shndërrohen sot në shtizën perfekte që “çunat e Sorosit” i kanë vënë në dispozicion Edi Ramës (apo anasjellas?).

Historia është kjo: Në vitin 2017 PD nënkontraktoi të paktën një kompani për lobim në SHBA (të njëjtën gjë bëri PS dhe LSI). Kompani zotërohej nga Nick Muzin, një republikan i njohur dhe ish shefi i fushatës së Ted Cruz më vonë anëtar i shtabit të fushatës së Presidentit Trump.

1. Ndarja e detyrave!

Disa muaj pas mbarimit të zgjedhjeve në Shqipëri, gazetari Likmeta përmes të dhënave që gjenden fare lehtë online mbi raportet e kompanive të lobimit në SHBA, zbuloi se kompania e nënkontraktuar nga PD në zotërim të Nick Muzin kishte ndryshuar deklarimin. Në deklaratën e re të postuar online, më 22 nëntor 2017, portali superinvestigativ Reporter.al “zbuloi” se sipas Muzin PD nuk ka paguar më 25 mijë USD, por plot 675 mijë USD.

Sipas letrave të publikuara, kompania e Muzin kishte marrë një pagesë tjetër nga kompania Biniata Trade, e regjistruar në Skoci në trajtën e një kompanie offshore. Kjo kompani, sipas deklarimit të ri të Muzin, kishte kontribuar me dy pagesa (150 mijë USD dhe 500 mijë USD).

Akuza kryesore që ngrihet (përtej pompozitetit të një kompanie tjetër që është përdorur) është se PD nuk ka deklaruar shumën e mbi 500 mijë USD të paguar për lobim në KQZ.

Disa muaj pas këtij shkrimi, portali ultra i majtë Mother Jones (mars 2018), botonte një tjetër shkrim me këtë temë (lidhja mes Mother Jones dhe Reporter.al është evidente). Shkrimi argumentonte me indicie të tjera investigimin e saj për kompaninë skoceze Biniata Trade. Mother Jones argumentonte se sipas indicieve të saj kjo kompani zotërohej nga disa rusë (Evgeny Sheremetyev dhe Kostandin Ferulev) të cilët kishin krijuar kompaninë offshore në Skoci ku janë paguar Nick Muzin për llogari të PD.

Akuza kryesore e Mother Jones është se Lulzim Basha, lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, ishte kanali përmes të cilit Vladimir Putin dërgonte para për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA. Mother Jones e nënvizon këtë fakt disa herë me radhë ndërsa sjell në vëmendje të publikut disa indicie që vështirë se vërtetohen ose rrëzohen, pra indicie të pambështetura në fakte konkrete. Jo vetëm kaq, por portretizimi i Ramës si një lider vizionar perëndimor dukshëm e kthen në problematik shkrimin investigativ të Mother Jones.

Në fund të shkrimit, gazetarët e “Nënës Xhons” nënvizojnë edhe një herë çështjen kyçe.

Sipas tyre, çështja tanimë është e qartë se “kush i ka sponsorizuar përpjekjet e Muzin për të ndihmuar PD-në” Evidencat sugjerojnë një skenar turbullues; një lidhje klandestine me Rusinë që ka turbulluar Washingtonin në mënyrë që të ndiqet një agjendë e mbuluar në Shqipëri.” Më tej gazetarët shkruajnë se Mueller ka nisur fletë arrestet për 13 agjentë rusë ndërkohë që hetimet po thellohen për të shkruar deri tek njerëzit më pranë Trump që kanë lidhje me Rusinë dhe bashkëpunimin e tyre me Rusinë. Në fund gazetarët e shkrimit argumentojnë “Ky bashkëpunim Biniatta Trade-Shqipëri është një sinjal paralajmërues se lufta e fshehtë politike e Rusisë mund të shkojë më thellë” duke aluduar se Putin ka përdorur vetë Lulzim Bashën për të ndërhyrë direkt në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Duhet pasur parasysh se shkrimi i Mother Jones është shkruar në kulmin e sulmeve dhe konspiracioneve të ngritura ndaj Presidentit Trump. Ky shkrim, siç gjithsekush mund ta lexojë me vëmendje, ngrihet mbi akuzën se Trump dhe njerëzit pranë tij kanë bashkëpunuar me rusët. Sipas akuzave, Nick Muzin (gjithashtu njeri i Trump) ka bashkëpunuar me rusët dhe bashkëpunim faktohet nga kompania Biniata Trade që është e lidhur me dy rusë (sipas shkrimit të Mother Jones).

Qartësisht Mother Jones dhe Reporter.al ndonëse ngrenë akuza ndaj të njëjtit njeri (apo parti), kanë dy pretendime të ndryshme. E para pretendon që FBI po heton një lidhje ruse Muzin-Basha-Putin ndërsa e dyta, pretendon që Basha ka thyer ligjin zgjedhor duke mos deklaruar 650 mijë USD. Kjo e fundit është në fakt edhe ajo çka heton prokuroria e Shqipërisë sot. Ndërsa media, natyrisht e ndihmuar (jo)vullnetarisht nga të dyja mediat e mësipërme, po përzien çështjet nën frymën e dezinformimit publik.

2. Idet e Marsit

Një vit më pas, në prokurorinë e Tiranës rihapet çështja e lobimit për PD-në. Lulzim Basha shkon në prokurori dhe jep përgjigje për pyetjet e tij, në media ai shprehet se “Prokuroria duhet të nxjerrë çfarë FBI ka sjellë”.

Gjithashtu një vit më pas hetimi i Robert Mueller (Prokurorit special për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet në SHBA dhe hetimin e Donald Trump) dorëzon raportin tek Prokurori i Përgjithshëm William Barr. Ky informon kongresin në një letër të gjatë katër faqe, nga ku dilet në dy konkluzione që kanë lidhje me temën tonë; a) Stafi i Donald Trump nuk ka bashkëpunuar me rusët, dhe Donald Trump nuk ka bashkëpunuar me rusët. b) Nuk ka prova që Donald Trump ka penguar drejtësinë në hetimin ndaj tij për këtë çështje.

Shkurt dhe qartë, Nick Muzin (pjesëtar i stafit të Trump) nuk ka bashkëpunuar me rusët gjatë fushatës elektorale apo pas saj.

Gjithsesi në Shqipëri është ngritur një zallamahi. Çështja e rusëve në SHBA (pra çështja e Mother Jones) dhe ajo e hetimit të Prokurorisë së Tiranës për fondet e padeklaruara të PD janë përzier bashkë. Kjo përzierje të kujton çështjen e Gërdecit, ku Berisha junior u përzie me trafikun e armëve të Diverolit, çështje që për ironi të fatit mori drejtim përpara një jave. Duke zbuluar një tjetër dezinformim medaitik të drejtuar dhe krijuar prej të njëjtëve njerëz.

Nga ana tjetër, gjatë gjithë hetimit të tij, prokurori Mueller ka bërë publike të gjitha fletë-arrestet apo dëgjesat në lidhje me çështjen e tij. Tanimë përveç të arrestuarve (për çështje të tjera dhe jo lidhje me Rusinë) janë bërë publike dhe 13 emrat e të huajve që kërkohen në SHBA në lidhje me hetimin për ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA nga Rusët.

Kjo do të thotë që nëse emri i asnjë funksionari të lartë të PD nuk është i shkruar aty, atëherë askush nga PD nuk po hetohet nga FBI për këtë çështje.

A ka lidhje Basha me rusët dhe a po heton FBI lidhjen në fjalë? Duke qenë se në Shqipëri institucioni i Prokurorisë funksionon hera herës si një organizëm okult, na duhet të hedhim sytë diku më larg.

Përzierja e çështjeve duket se po krijon frynën e përgjithshme që Lulzim Basha realisht është një njeri i rusëve. Ajo çfarë vlen të theksohet gjithsesi është se Nick Muzin, njeriu i akuzuar që ka marrë paratë ruse nga Mother Jones, sot e kësaj dite është i lirë dhe drejton një kompani tjetër lobimi. Në faqen zyrtare të kompanisë së re të Muzin vërehet se ai e konsideron arritje foton mes Bashës dhe Donald Trump, që ai e ka mundësuar. Për këtë foto, Mother Jones dhe Reporter.al, ngrenë aludimin se Basha ka paguar para nga rusët.

Po në Tiranë?

Akuza e Prokurorisë së Tiranës është se kryetari i PD Lulzim Basha nuk ka deklaruar pagesat që ka kryer në SHBA, ndërkohë që ai e mohon se ka kryer këtë pagesë. Por, në këtë mes nuk ka as rusë dhe as Putin.

Marsi është një muaj interesant. Sheksprisi shkruan se Çezari u vra në Idet e Marsit, ndërsa ndodhitë e fundit dëshmuan një dështim spektakolar të të gjitha mediave që ngritën konspiracionin Trump-Putin. Duket se gazetaria shqiptare, e cila ka ves autocensurën dhe të cilës i mungon virtyti i përgjegjshmërisë, nuk i ka nxjerrë akoma mësimet e saj. Por, e me gjasë këtu është problemi i disave. Ne presim përgjegjshmëri nga gazetarë dhe media që qartazi kanë të shkruar në ballë parrullën e nënës parti.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto