Vendosni fjalën kyçe....

Erdogani merr goditjen më të fortë në dy dekada, fiton zgjedhjet por humb Ankaranë, Stambollin dhe Izmirin

Kutitë e votimit

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan sërish ka fituar zgjedhjet lokale, mirëpo partia e tij ka pësuar humbjen më të madhe në 25 vjet. AKP ka humbur kontrollin e qyteteve më të mëdha të Turqisë, përfshirë Ankaranë dhe Stambollin.

Rezultatet nëse konfirmohen, do të jenë një goditje e fortë për Erdoganin, i cili ka dominuar politikën turke që kur u bë kryeministër në 2003-in.

ANKARA– Në Ankara, Partia Republikane e Popullit (CHP) e opozitës fitoi më shumë se 50% të votave ndërsa AKP rreth 47%, tha agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Kjo është hera e parë në 25 vjet që partia e Erdogan ka humbur kontrollin e saj mbi kryeqytetin.

STAMBOLLI- Në Stamboll, rezultatet ishin shumë të afërta. Sipas Anadolu Agency, CHP mori 48.79% të votave, ndërsa AKP 48.51%.

Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë tha se rezultatet nga 84 kuti votimi ende nuk janë përfshirë në numërimin përfundimtar, për shkak të kundërshtimeve. Të dyja palët pretendojnë se kanë fituar në Stamboll.

Mbështetës të opozitës duke festuar në Stamboll

Kandidati për kryebashkiak i AKP-së në Stamboll, Binali Yildirim tha se mbi 300,000 vota ishin “të pavlefshme” në një kohë kur kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu nga CHP kishte marrë 25,000 vota më shumë se ai.

“Ky është një detaj i rëndësishëm, mund të ketë gabime dhe parregullsi, partia jonë i ka zbuluar ato,”, tha Yildirim, citon “CNN“.

Rezultati në Stamboll ka një rezonancë të veçantë: Erdogan e filloi karrierën e tij politike atje, duke shërbyer si kryebashkiak në vitet 1990. Që nga ajo kohë, AKP e Erdoganit ka fituar vazhdimisht në zgjedhje.

Edhe mbështetës të Erdoganit festuan për fitore në Stamboll

IZMIRI– Partia e Erdoganit humbi dhe qytetin historikisht laik të Izmirit. Atje, CHP po udhëheq me më shumë se gjysmën e votave, ndërsa AKP është të paktën me 20 pikë prapa.

Edhe pse Erdogan nuk po kandidonte, ai ishte fytyra kryesore e fushatës së AKP-së dhe ka zhvilluar tubime në Turqi për javë të tëra. Presidenti turk i përshkroi votat e së dielës për kryetarët e komunave dhe organet komunale si një çështje të “mbijetesës” kombëtare. Sipas Anadolu, miliona njerëz dolën për të votuar.

Zgjedhjet u konsideruan si një referendum mbi Erdoganin dhe partinë e tij. Në një fjalim të dielën në mbrëmje, Erdogan tha se kishte për të mësuar nga këto zgjedhje.

“Njerëzit që vijnë me premtime të rreme, fitojnë. Ne do të shohim si ata do të sundojnë, në do të vazhdojmë në rrugën tonë që Perëndia dëshiron – duke marrë mësime nga gabimet tona në këto zgjedhje”, janë fjalët e Erdogan.

Erdogan në Ankara

Në zgjedhjet e së djelës, morën pjesë miliona qytetarë të Turqisë. Bashkimi Evropian ka vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen e lartë të votuesve në zgjedhjet e djeshme lokale në Turqi, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç në në një konferencë për median.

“Shkalla e lartë e daljes në votime riafirmon lidhjen e fortë të votuesve për demokracinë”, deklaroi Maja Kocijançiç.

Sipas të dhënave jozyrtare, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet lokale në Turqi ishte afërsisht 85%./Hashtag.al