Një shtetas grek është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës teksa po transportonte drejt Greqisë një sasi të madhe fishekësh.
Pas kontrollit të mjetit me të cilin udhëtonte, 49-vjeçarit me iniciale E.F., me banim në Janinë iu kapën rreth 800 fishekë.
Njoftimi i policisë
“Policia Kufitare godet një tentativë për trafik të armëve dhe municioneve luftarake. Arrestohet në flagrancë një shtetas grek i cili tentoi të trafikonte për në shtetin grek një sasi të konsiderueshme municioni luftarak.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale rreth 800 fishekë.Shërbimet e Policisë Kufitare në zbatim të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në bazë të analizës së riskut , më datë 14.04.2019, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë një automjet që drejtohej nga shtetasi grek E.F., 49 vjeç, banues në Janinë.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Kakavijë, në pjesën e brendshme të mjetit gjetën një arkë metalike e mbështjell me rroba dhe një qese plastike, brenda të cilës kishte rreth 800 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale
Veprimet hetimore dhe procedurale të mëtejshme u kryen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit grek E.F., për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal.”