Vendosni fjalën kyçe....

A po vuan Gjiknuri nga simptoma RDS? (Disa sjellje të çuditshme të ish-ministrit)


Në muajin dhjetor 2018, Edi Rama riformatoi thuajse gjithë kabinetin qeveritar. Ministrat ranë sikur të ishin birila. Kjo lëvizje që në dukje përfshiu gjithë kabinetin, në fakt kishte shënjestër veç dy ministra, Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin, ministrat e tjerë ishin garnitura që i duhej Ramës për të kamufluar ndëshkimin si reformë.

Ish-ministri Arben Ahmetaj ka marrë një pozicion të ri në Kuvend dhe është tërhequr në strofullën e tij, pa zhurmë.

Por nuk po ndodh kështu me Damian Gjiknurin, sepse Gjiknuri vijon të sillet ende si ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës.

Në javët e fundit si ministër, Gjiknuri e pa veten në qendër të një skandali me fondet dhe firmat fantazmë të projektit të Unazës së Re. Bashkë me të u implikua rëndë në skandal dhe ish-drejtori i ARSH-së Afrim Qendro, por pas shkarkimit të Gjiknurit si ministër, stafi i tij dhe njerëzit e besuar dukej sikur e kishin të vështirë të pranonin realitetin e ri.

Aq e vërtetë është kjo, sa në fund të muajit shkurt 2019, drejtoresha e re e ARSH-së, u desh të firmoste një urdhër që e pengonte Afrim Qendron të shkelte në këtë institucion. Ky urdhër lidhej me faktin se Afrim Qendro dhe pas shkarkimit dyshohet se u bënte presion punonjësëve dhe specialistëve në ARSH që të firmosin sipas udhëzimeve të tij.

Kjo kapriço e Qendros, shkaktoi një përplasje të hapur me drejtuesen e re të ARSH-së dhe  u desh që rojës së godinës t’i jepej urdhër për ta lënë jashtë Afrim Qendron.

Ndiqni videon e Top-Channel që dëshmon momentin kur roja e përze ish-drejtorin Qendro:

 

Ndërsa bashkëpunëtori i ngushtë i Gjiknurit u përzu me ceremoni nga institucioni, duket se vet ish-ministri Gjiknuri, e ka të pamundur të besojë se ai nuk është më ministër.

Një vëzhgim i faqes zyrtare të Facebook-ut të Gjiknurit shfaq disa dhjetëra postime të javëve të fundit të tij. Gjiknuri madje rezulton se ka shkuar dhe ka vizituar në disa raste disa vepra të ministrisë së Energjitikës, promovon punë të caktuara, njësoj si në periudhën kur ishte ministër.

Asnjë prej ministrave të shkarkuar nga Edi Rama në dhjetor, nuk ka vijuar me promovimin e punëve në faqet e Facebook-ut, por Gjiknuri bën përjashtim.

 

Ish-ministri nuk mjaftohet vetëm me fushatën e marketingut në Facebook, por ka përdorur dhe lidhjet e veta ndërkombëtare, për të lartësuar punën e tij dhe për të goditur “si me stil” ministren e re Belinda Balluku.

Dhjetë ditë më parë mbërriti në Tiranë Drejtori i Komunitetit të Energjisë në BE, Janez Kopac. Ai foli në Kuvendin e Shqipërisë, duke dhënë mesazhe kontradiktore, pasi e quajti largimin e Damian Gjiknurit nga posti i ministrit si diçka dekurajuese për reformat, por njëherësh kritikoi dhe reformat që janë ndërmarrë vitin e fundit, ndonëse në vitin 2018 ministër ishte miku i tij Gjiknuri.

Deklaratën e Kopac, mund ta ndiqni dhe në materialin filmik të TV-Klan në vijim:

Ministri Gjiknuri për 5 vite konsiderohej si pushtetari më i rëndësishëm pas Edi Ramës. Ai arriti të krijonte një rrjet të fortë dhe tepër efikas që i shërbente, në botën e biznesit, politikës, medias dhe ndërkombëtarëve.

Gjiknuri lidhi një bashkëpunim të ngushtë me afaristin Samir Mane ndërsa ky i fundit i ofroi atij një imunitet të plotë në Top-Channel dhe TV-Klan, mbrojtja e Manes shkonte dhe në ato konjuktura të opozitës ku Mane ka ndikim.

Skandali i Unazës së Re, ishte si një rrufe në qiell të hapur për Gjiknurin dhe ai kuptoi se rrjeta e fortë e grupit të interesit që kishte krijuar u shua sikur të mos kishte ekzistuar.

Ndoshta kjo befasi e bën atë që të mos pranojë dhe realitetin dhe të vijojë të sillet sikur është ende ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës.

Janë fenomene që hasen, madje në mjekësi një fenomen i tillë njihet dhe si “Sindroma e Mungesës së Realitetit” (Reality Deficiency Syndrome, RDS). / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *