Templates by BIGtheme NET

Heqja e tabelave dygjuhëshe në Finiq, akt i paprecedentë

Nga Panajot Barka

Shmangim me qëllim dhe me vullnet cilësimet “akt i mirëfilltë politik me ngjyrime nacionaliste” aksionin (operacionin) e natës së ditës së shtunë, të Autoritetit Rrugor të suportuar nga forca të shumta policore, për të hequr me dhunë 35 tabelat treguese dygjuhëshe në fshatrat e Minoritetit Etnik Grek të bashkisë Finiq të prefekturës së Vlorës.

Por, fatkeqësisht për frymëzuesit dhe zbatuesit e këtij aksioni, operacioni u ndërmor  ditën e 70-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, anëtar i vonuar i të cilit është edhe Shqipëria.

Në këtë kuptim ky aksion shkeli rëndë frymën e këtij instrumenti themelor politik të Bashkimit Evropian në mbrojtje të të drejtave të njeriut, aktet ligjore të këtij Këshilli të adoptuara nga vendi ynë me efekt ligjor të brendshëm, por edhe aktet ligjore të brendshme të vendit, në frymën e këtij instrumenti politik evropian, të cilësuara madje si pasaporta  e Shqipërisë në rrugëtimin e saj për Evropën e Bashkuar. Fjala është për ligjin 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.

Ku konsistojnë këto shkelje

Ta zemë për një moment se Autoriteti Rrugor është në të drejtën e tij. Por veprimet e kryera prej tij provokojnë disa pyetje që i kompromentojnë këto veprime.

Përse zgjodhi mesnatën e një dite të shtunë për të ndërmarrë një operacion të tillë?! Përse i duheshin kaq shume forca policore në këtë ndërmarrje?!

Përse (dhe kush) ndërpriste energjinë elektrike sipas zonave ku lëvizte ekipi civilo-policor i ARRSH-së për të prerë tabelat me troho, që ushqeheshin me gjeneratorë?!

Ato tabela kishin një autor, Bashkinë e Finiqit. Përse ARRSH-ja nuk u mor me ketë autoritet bashkiak, por me tabelat?!

Nëse Bashkia Finiq shkeli ligjin, ajo është një institucion shtetëror dhe institucionet shtetërore në marrëdhëniet midis tyre kanë një kod mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe luajaliteti në shërbim të ruajtjes së integritetit dhe autoritetit të shtetit dhe të vetin.

Dhe nëse edhe në këtë fushë nuk gjendet gjuha e përbashkët, atëherë egzistojnë mekanizma të tjerë shtërorë që i zgjidhin mosmarrëveshjet midis enteve shtetërore. Përse, atëherë ARRSH-ja nuk ndoqi këto dy rrugë, por kërkoi ta zgjidhte “të drejtën e vet” duke përdorur mjete dhe mënyra si ndaj një keqbërësi të rrezikshëm për shoqërinë dhe për shtetin?!

Nëse marrim për bazë pretendimin se u shkel ligji (?!) veprimi i ARRSH-së nuk justifikohet në realitetin shqiptar të respektimit të ligjit nga vetë shteti.

Kemi këtu parasysh faktet të tilla se si shteti nxjerr ligje për të legjitimuar shkelësit e ligjit dhe këtë e konsideron fitore, psh për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Apo shkeljet e ligjit nga vetë ARRSH-ja ka bërë që akset rrugore në Shqipëri të kthehen në gijotona që marrin përditë jetë njerëzish.

Apo shteti vetë lejon pastrimin e parave duke abuzuar me ligjin, apo në këtë shtet trafikohen vota, deputetë, parti, diploma….Dhe shteti akuzohet nga insticionet perëndimore për mosveprim, ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, evazionit fiskal…

Këto 35 tabela të vendosura ne zbatim të paragrafit 3 të nenit 15 të ligjit 96/2017 “Për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë” qenkan shkelje kaq e rëndë dhe e rrezikshme sa u mobilizua shteti me më shumë forca dhe me më shumë seriozisht se sa për të arrëstuar kriminelë që grabisin miliona euro të mbrojtuara nga shteti. (!!?)  

ARRSH-ja nuk na thotë ku qëndron rrezikshmëria shtetërore kaq e lartë e veprimit të Bashkisë së Finiqit. Por, po të vihet re, në opinionin publik konsumohet me inflacion të tepruar pretendimi i këtij autoriteti se nuk u respektua siraja e gjuhëve, pra u shkrua gjuha greke e para dhe me pas shqipja (?!) por nuk na thotë cili ligj e thotë këtë dhe si konkretisht, apo nga buron e drejta e tij në këtë drejtim. Paragrafi 3 i nenit 15 të ligjit 96/2017 të përmendur më lart, thotë vetëm që krahas gjuhës zyrtare të përdoret dhe gjuha minoritare!!

Kuptohet, se brenda mirëkuptimit, duke pritur edhe disa orë për kthimin nga jashtë shtetit të kryetarit të Bashkisë edhe ky problem mund të zgjidhej. Por strukturat vepruese të ARRSH-së në këtë operacion, (përdoret nga vetë ky ent shtetëror një term policor), i zhdukën këto tabela duke transmetuar mesazhin se tabela me mbishkrime në gjuhën greke nuk do të vendosen këtu pavarësisht nga ligji !!!

Po, mund të akuzohem se kjo nuk qëndron. Analiza ime është megjithatë shumë kokëfortë.

Kështu në Dropull, ku vetë enti përgjegjës shtetëror u detyrua dhe vendosi sipas parametrave të tij tabela treguese dygjuhëshe në të gjithë aksin rrugor nga Derviciani në Kakavijë, të nesërmen dhe në vijim deri më sot, për gati 20 vjet mbi mbishkrimet në gjuhën greke të këtyre tabelave, veprojnë keqbërës që i lyejnë me bojë të zezë, i shkulin dhe dalin me to në video poshtëruese për minoritetin grek, shkruajnë parulla fyese dhe nacionaliste etj.

Askush nuk mban përgjegjësi, asnjë nuk kapet, askush nuk dënohet, asnjë nuk merr përsipër (është detyrë e ARRSH-së) t’i ndreqë, t’i rregullojë, t’i zëvendësojë!! Besoj se komentet për këto akte, në rastin e Bashkisë së Finiqit janë të tëpërta.  Dhe fatkeqësisht opinioni publik në rastin më të mirë hesht!

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*