Vendosni fjalën kyçe....

10 PYETJE PUBLIKE PËR LULZIM BASHËN


 

Nga Hashtag.al
Lulzim Basha po udhëheq prej disa muajsh protestat kundër qeverisë Rama, ndërsa dosjet kriminale  të qeveritarëve, bllokimi dhe kapja e sistemit nga kryeministri Rama,  korrupsioni dhe favorizimet, kanë shkaktuar jo pak pakënaqësi ndër shqiptarët.

Protestat e udhëhequra nga Basha po vijnë duke u përshkallëzuar,  ndonëse kryeministri Rama posedon ndikim absolut në pjesën dërrmuese të televizioneve  dhe paneleve, duke bërë një përpjekje  të fortë mediatike për t’i relativizuar.

Por nëse sot është e sigurt që Rama dhe pushteti i tij po degradon me shpejtësi, mbetet e paqartë se çfarë zgjidhjesh di të ofrojë opozita.

Mediat proqeveritare, kanë nisur një fushatë për të përhapur idenë se ajo çfarë ofron opozita është rotacioni i udhëheqësit, por jo ndryshimi i sistemit dhe i gjendjes.
Kjo fushatë mediatike dita ditës po funksionon, e ndihmuar ndoshta dhe nga vet opozita, e cila duket më tepër e fokusuar në denoncimin e gabimeve të Edi Ramës, se sa në ofertën politike që do japë zgjidhje dhe garanci se këto gabime nuk do të përsëriten kur ata të vijnë në pushtet.

Për këtë arsye Hashtag.al, duke patur dhe favorin e një mediaje online që editorialisht nuk është në pozita antagoniste me opozitën, gjen rastin t’i drejtohet publikisht Lulzim Bashës me disa pyetje.

 

10 PYETJE PUBLIKE PËR LULZIM BASHËN:

  1. Partia Demokratike ka denoncuar fuqishëm lidhjen e pushtetit me krimin dhe grabitjen e votës nëpërmjet patronazhit kriminal. Në këndvështrimin e Lulzim Bashës, kush ka bërë më tepër krime elektorale, bandat kriminale apo komisionerët dhe numëruesit e emëruar nga PS-PD-LSI? 
  2. Fatos Nano në vitin 1997 kishte devizë “Do i’u kthejmë paratë e piramidave”. Berisha në 2005 kishte devizë luftën kundër korrupsionit dhe taksën e sheshtë. Edi Rama në 2013 kishte devizë “Rilindjen”, “Shëndetësinë falas”, “300 mijë vende pune”.
    Së fundmi paralel protestave, ju po shkoni nëpër fshatërat e Myzeqesë dhe po flisni për subvencionet e gjedhëve.
     Do jenë subvencionet e bagëtive deviza juaj? 
  3. A kanë hartuar ekspertët e Partisë Demokratike ndonjë raport që reflekton pasojat negative të Reformës në Drejtësi? A posedon PD-ja një raport profesional që shpjegon asgjesimin e Gjykatës Kushtetuese, favorizimet arbitrare në Vetting dhe qeverisjen e vendit me ligje speciale antikushtetuese si në rastin e projektit për Teatrit Kombëtar?
    A keni lobuar ndërkombëtarisht me ndonjë raport të tillë? 
  4. Në vitin 2017 PD-ja ka emëruar titullaren e Avokatit të Popullit. Mund të na informoni nëse ky institucion ka hartuar ndonjë raport zyrtar që hedh dritë mbi ligjet speciale antikushtetuese apo favorizimet e klientëve të pushtetit? 
  5. Çfarë do bëjë Partia Demokratike me ligjin e koncensioneve kur të vijë në pushtet? Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike për koncensionet e dyshimta në shëndetësi, resurse natyrore, energji dhe shërbime?
    Keni ndonjë listë të koncensioneve ekzistuese, të cilën e keni kategorizuar, me koncensione që do hetoen, që do pezullohen, do korrektohen ose do të anulohen? 
  6. A kanë hartuar ekspertët dhe juristët e partisë tuaj ndonjë raport ose paketë propozuese mbi ndryshimet Kushtetuese që do të korrektojnë sistemin ekzistues? 
  7. Mendoni se jeni i besueshëm kur kundërshtoni reformën në arsim të bërë nga Edi Rama, ndërsa në rrethet mediatike dhe universitare po flitet çdo ditë mbi ndikimin në rritje të zotit Henri Çili në vendimmarrjen tuaj? 
  8. A ndjeni ju personalisht përgjegjësi për listat e vitit 2017 dhe sidomos për zonjën Rudina Hajdari? A është rasti i promovimit të zonjës Hajdari një agresion i shkaktuar direkt nga ju kundrejt gjithë të rinjve të shkolluar dhe profesionistë që nuk i kanë prindërit VIP-a? 
  9. Keni realizuar disa tryeza për përkeqësimin e gjendjes së medias, por në asnjërën prej tryezave nuk keni përmendur emrat e rëndësishëm të pronarëve të televizioneve kombëtare si Vjollca Hoxha apo Aleksandër Frangaj. Si shpjegohet? 
  10. Partia Demokratike ka dy përfaqësues në Bordin drejtues së AMA-s (Autoriteti i Medias Audiovizive), a jeni informuar ju mbi favorizimet që qeveria i bën platformave dixhitale? A keni ju një plan për forcimin dhe modernizimin e RTSH si ent 100% publik?
    A do ta kufizonte ndikimin e oligarkëve të medias modernizimi i RTSH-së?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *