Vendosni fjalën kyçe....

Arsimimi si zgjidhje afatgjatë


Nga Olsi Bakalli

Rreth tre shekuj më parë, Adam Smith në kërkimin për natyrën dhe shkaqet e “Pasurisë së  Kombeve”, i kushtoi një vemendje të posaçme zhvillimit ekonomik të mbështetur nga progresi teknik dhe kapitali fizik, me në fokus arsimin dhe zhvillimin e kapitalit human.

I konsideruar më shumë si një aktivitet konsumues se sa prodhues, arsimi  në shekullin e 20-të mori një rëndësi të veçantë si pjesë integrale e pasurisë së kombeve. Pas luftës së dytë botërore, zhvillimi ekonomik si një problem i ndërkombëtarizuar , u pa nga ekonomistët dhe politikanët si një çështje e lidhur ngushtësisht  me formimin e kapitalit në sensin fizik të tij.

Por modelet teorike, vëzhgimet dhe angazhimet reale, të përkthyera në numra të interpretueshëm, sugjeruan si shkak kryesor të varfërisë së vendeve defiçensën e kapitalit human dhe efiçensën e tij si çelësin për një rritje ekonomike të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Historia na mëson se suksesi i revolucioneve industriale dhe i investimeve në industrinë e rëndë, projektet energjitike, prodhimin e çelikut, hekurudha  dhe fermat e mekanizuara, nuk do të ishte i mundur nëse një investim në edukim nuk do të ishte bërë njëkohësisht.

Edukimi rezultoi një investim vital për zhvillimin ekonomik dhe human të shoqërisë së shekullit të 20-të. Si një mendimtare e asaj kohe, edhe Ayn Rand do e vinte theksin tek arsimi si një proçes i pandalshëm individual i domosdoshëm formimi.

Megjithëse ajo pohonte se i vetmi qëllim i edukimit është të mësojë një student se si ta jetojë jetën e tij-duke zhvilluar mendjen dhe duke e pajisur atë me aftësi për tu përballur me realitetin, ajo  mendonte se secilit prej nesh i nevojitet një trajnim teorik dhe konceptual.

Individit duhet ti mësohet të mendojë, të kuptojë, të integrohet dhe të provojë. Atij duhet ti mësohen bazat e njohurive të zbuluara në të shkuarën dhe të pajiset me aftësi për të përthithur më shumë njohuri falë përpjekjes së tij.

A nuk përkon ky përkufizim i Rand për edukimin me një konvencion logjik të përdorur si bazë e zhvillimit të ambicies individuale, për të prodhuar atë çka konsiderohet sot revolucioni teknologjik?

Ne jetojmë në një shoqëri të orientuar drejt inovacionit. Kërkesat e shekullit të 21 janë orientuar drejt risisë, kreativitetit dhe integrimit të njohurive në nivel global, nëpërmjet kërkimit dhe mendimit kritik e analitik.

Ndryshimet e shpejta në teknologji, tregun e punës, mjedisin e përgjithshëm vendas e ndërkombëtar, nivelin e konkurueshmërisë, e bëjnë nevojën për përshtatje një domosdoshmëri.

Në të gjithë botën merret si e mirëqenë që zhvillimi i edukimit dhe suksesi në ekonomi  janë ngushtësisht të lidhura dhe që lufta për të rritur standardet e jetës së një kombi bëhet së pari në klasë. Por çfarë e ka bërë këtë ide të pa lëkundur në mendjen e njerëzve është fenomeni i intensitetit të rivalizimit global ekonomik.

Në këtë linjë mendimi, i njëjti fenomen ka ndodhur edhe në Shqipërinë e pas viteve 90-të. Një sistem i ri vendimarrje, hapja e tregut, ekonomia e lirë dhe lindja e sipërmarrjeve private, solli nevojën e një reagimi të shpejtë dhe profesional ndaj kërkesave të tregut.

Me gjithë kulturën pozitive të një arsimimi cilësor të trashëguar, ndihej një mungesë e theksuar e lirisë së mendimit dhe shprehjes që qëndrojnë në themelet e një shoqërie të zhvilluar.

Dua të besoj se politikë-bërësit për çështjet e arsimit kanë qenë mbështetës të pakushtëzuar të idesë se hapja dhe zhvillimi i një shoqërie vjen veçse nga edukimi; e si të tillë edhe kanë ndërmarrë hapa cilësorë në hapësirat e krijuara. Por kjo nuk ka mjaftuar.

I ndyshëm ka qenë realiteti nisur nga cilësia e këtyre politikave, vullneti dhe dëshira për ti zbatuar, me pasojën e pamundësisë së mjaft njerëzve të zakonshëm të këtij vendi për një edukim dinjitoz e gjykim të shëndoshë.

Do të duhej që me vizionin e një emancipimi shoqëror, besimin në vlerat e kësaj shoqërie, dhe mundësisë për një angazhim të potencialeve njerëzore, t’i jepnin krahë ëndrrave të shumë të rinjve.

Të rinj të zellshëm, punëtorë dhe ambiciozë, që i gjen sot të suksesshëm në çdo fushë të jetës, brenda dhe jashtë kufijve tanë; e kjo jo falë sistemit tonë arsimor por si rezultat i punës së tyre të palodhur dhe mbështetjes së pakushtëzuar familjare.

Por ndërkohë, me sistemin e ngritur, të keq manaxhuar apo qëllimisht të shkatërruar kanë humbur edhe konceptet ndihmëse në përcaktimet e masës zhvillimore të një shoqërie si kjo e jona.

Një kulturë edukative do duhej të niste qysh në hapat e para nga mësuesit e parashkollorëve në bashkëpunim me familjen, për të përcatuar kornizat e formimit të më të vegjëlve.

Do të duhej të vazhdonte në të njëjtën frymë mirëinformimi, llogaridhënje, transparence, qysh në bankat e shkollës me arsimin fillor, 9-vjeçar, të mesëm, në atë profesional, e më tej në arsimin e lartë që do përgatiste mësuesit e rinj që do riktheheshin përsëri nga ku e nisën.

Njohja e hershme me elementë të qytetarizmit aktiv, të drejtat dhe detyrimet, sensi kritik dhe analitik, do i  jepte të përditshmes një ritëm tjetër, e një tjetër zgjidhje si përgjigje ndaj çdo problematike, ngërçi, e paqartësie  në rrugën e qytetarisë.

Falë një sistemi më të mirë arsimor, vendi nuk do përballej me këtë krizë identiteti, cikli nuk do ishte kaq i gjatë, individi do arrinte të bënte dallimin e të zgjidhte mbi merita, meritat do i jepeshin atij që i takonin, meritokracia do të ishte udhërrëfyes, përfaqësimi do reflektonte cilësi, padrejtësia nuk do të ishte pritshmëri, pritja nuk do bëhej e zakonshme e mungesë e lirisë shumëkënd do zgjonte.

Të jetosh nganjëhere si rrjedhojë e pamundësisë, të jesh i përjashtuar apo të jesh një zë i pafuqishëm nuk e bën shoqërinë më të mirë, por arsimimi si investimi më kthimin më të lartë në një periudhë afatgjatë mund dhe duhet të jetë zgjidhja e vetme për zhvillimin e shoqërisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *