Templates by BIGtheme NET

Kryeministri italian kërcënon sërish me dorëheqje, kursimet e qytetarëve në rrezik

Italia mund të jetë shteti i radhës në Europë që zhytet në një krizë politike. Kryeministri i vendit, Giuseppe Conte ka ripërsëritur kërcënimin e tij për një dorëheqje, përpara takimit me dy liderët e koalicionit qeverisës, Matteo Salvini, dhe Luigi di Maio.

Përplasja më e re në kabinetin qeverisës italian vjen pas paralajmërimit të Brukselit në lidhje me buxhetin dhe mosrespektimin e rregullave të përbashkëta europiane. Dy partitë e koalicionit qeverisës janë në dy pozicione krejt të ndryshme sa i përket kësaj përplasje dhe qasjes ndaj Brukselit. Në mënyrë që  Italia të shmangë masat disiplinore që janë rrjedhojë e buxhetit të miratuar për 2019, duhet që palët të bien dakord në një strategji të përbashkët.

Në rast se kjo nuk arrihet, kryeministri Conte mund të japë dorëheqjen, duke zhytur Italinë në një krizë edhe më të thellë. “Diçka e tillë do të ekspozonte kombin ndaj tërmeteve të tregjeve si dhe zhvlerësimin e mundshëm të agjencive të kreditit, çka do ta bënte më të vështirë për qeverinë të shiste borxhin”-deklaroi së fundmi numri një i ekzekutivit italian në një intervistë për “Corriere della sera”, duke qenë i ashpër kryesisht me “5 Yjet” dhe liderin e saj.

Sipas Contes, planet e Salvinit, kërcënojnë kursimet e italianëve.  Italia është vendi i dytë në Eurozonë, pas Greqisë, sa i përket borxhit publik, me një stok në 2.3 trilionë euro. Buxheti i vitit aktual., sipas Komisionit Europian, vetëm sa e rrit në mënyrë konstante këtë mal borxhi. Për këtë, Italia duhet të marrë masa, në të kundërt të përballet me masat disiplinore. Së fundmi, dy partitë e koalicionit qeverisës në vend kanë sulmuar edhe planet e ministrit të financave për të shpëtuar financat e vendit.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto