Vendosni fjalën kyçe....

Regjistrime bisedash, takime sekrete dhe mesazhe për ndërkombëtarët, deklaratat e forta të Metës


Presidenti i Republikës Ilir Meta, doli sot në një Konferencë të Jashtëzakonshme për mediat, ku dha një mesazh të rëndësishëm pas deklaratave të maxhorancës se ai “ka shkelur Kushtetutën me shfuqizimin e datës së zgjedhjeve” dhe debateve për synimet e Ramës për shkarkimin e tij.

Meta u bëri thirrje palëve politike që kishin dyshime në kushtetutshmërinë e aktit të tij, që të lexonin Kushtetutën e saktë të Republikës së Shqipërisë, madje duke ua nxjerrë atë përpara kamerave.

Presidenti tha se ai kishte informacione se më datën 8 qershor mund të kishte destabilitet në vend dhe u detyrua të merrte masa. Ai tregoi se kishte bërë disa takime sekrete me kryeministrin Edi Rama për çështjen e shtyrjes së datës së zgjedhjeve dhe vendimi i tij nuk ishte surprizë për të. Presidenti pati edhe disa mesazhe për ndërkombëtarët, të cilëve u kërkoi të mos kontribuonin me ngatërresa por vetëm për zgjidhjen e krizës.

Informacionet për destabilitet

Presidenti tha se kishte marrë informacione se ditën e protestës së 8 qershorit mund të kishte destabilitet. Në këto kushte ai u detyrua të merrte një veprim urgjent për të ndihmuar në zbutjen e krizës dhe pengimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të saj.

“Me përgjegjësi të lartë në datën 8 qershor para zhvillimit të protestës bëra publik vendimin për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve. Vendimi u mor me përgjegjësi të plotë nisur nga faktet dhe informacionet se në datë 8 qershor mund të kishte destabilitet për jetën e qytetarëve dhe rendin Kushtetues. Dje bëra të ditur argumentet. Që në momentin e shpalljes së vendimit kam vënë re për fat të keq disa reagime të ndryshme se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke krijuar qëllimisht një gjendje emullie.”, tha Meta.

“Çfarë të pres, të shënohet një viktimë?! “

Meta tha se nuk dëshironte të priste të shënoheshin edhe viktima nga përplasja më 30 qershor, ndërsa e quajti shantazh reagimin e maxhorancës për vendimine  tij.

“Kemi kohë për t’i konsumuar të gjitha hap pas hapi. Unë dua tu siguroj që ky akt është bazuar edhe ky në një konsensus, jo si të mëparshmit ku zhvillohej një dialog pastaj zgjidhej kriza, por përsëri mbi një konsensusin e dy palëve për të mos dialoguar, pretendimi i Ramës se 30 qershori nuk lëviz dhe pretendimi i Bashës se me Ramën si kryeministër nuk ka zgjedhje. Mendoj se Rama duhet të tregonte më shumë fleksibilitet. Kryeministri është përgjegjësi shumë e madhe. Edhe ata mijëra shqiptarë që protestojnë janë të Shqipërisë, ku ai është kryeministër, paguajnë taksa dhe kanë kërkesat dhe pretendimet e tyre dhe duhet të respektohen dhe jo të fyhen dhe denigrohen. Përpjekja ime ishte jo vetëm për të parandaluar të keqen që mund të ndodhte, por edhe për një dialog. A do ta zgjidhë? Është një përpjekje mjaft kurajoze, por e kam bërë me bindje që tu japë të gjithë palëve një mundësi që Shqipëria të vijojë në rrugën e integrimit. Në rast se do të kishte ndodhur diçka në datë 8 të gjithë do të thoshin, shumë vonë zoti President, çfarë bërë pritej që të shënohej edhe një viktimë?! Pa një vullnet serioz të dy palëve në radhë të parë të qeverisë se duhet të japë garanci për zgjedhjet dhe për fat të keq me mënyrën që ka reaguar edhe iniciativa e fundit kundër presidentit është shantazh dhe presion që i bëhet institucionit më të lartë, kryetarit të shtetit sepse bën një përpjekje për të dhënë mundësi që kolonat e republikës së Shqipërisë të mos tronditen dhe të mos rrëzohen”, u shpreh Presidenti.

“Lexoni Kushtetutën!”

Meta dha një mesazh për të gjithë ata që e kritikuan vendimin e tij për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve, duke e quajtur antikushtetues. Ai u bëri thirrje të lexojnë Kushtetutën.

Ditën e djeshme kam bërë publike të gjitha argumentet mbi të cilat mora këtë vendim. Kam vënë re dhe disa reagime se presidenti ka shkelur kushtetutën.

Duke e ditur fort mirë se në Tiranë qarkullojnë disa modele e botime të ndryshme të tekstit të Kushtetutës, jam i detyruar të dal sërish përpara jush.

Që të lexojnë siç duhet, ju bëj me dije se Kushtetuta zyrtare është pikërisht kjo këtu që po ju tregoj unë. Që nga neni 1 deri në fund nuk përcakton afatin me ditë apo me muaj.

Këto detaje formale i ka kodi zgjedhor, të cilin partitë politike e dinë si janë sjellë e sa e kanë respektuar. Kanë ndryshuar jo vetëm kodin por edhe Kushtetutën brenda një nate?

Si ka mundësi që ata nuk janë akuzuar për shkelje të Kushtetutës?

Kolegët e mi nuk e kanë shkelur Kushtetutën por kanë vepruar në emër të stabilitetit të vendit.

Ka dëgjuar se dekretet e presidentit quhen Kushtetuese vetëm pasi të marrë leje nga dy partitë politike. Është publik fakti se precedenti i parë është krijuar falë kontributit të kryetarit të PS-së, dhjetor 2006 janar-2007.

Vendimi për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve bë e domosdoshme në kushtet e përshkallëzimit të qëndrimeve dhe aksioneve histerike të dy palëve politike, për të kulmuar në përplasje mes tyre më 30 qershor.

Të dy partitë e kishin shpallur datën 30 si ditë force, për jetë a vdekje midis tyre. Mora vendimin e duhur për të shmangur një konflikt civil në vend.

Zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen në një datë të mëvonshme, të lira, të ndershme, demokratike dhe konkuruese. Presidenti u bën thirrje palëve të thellohen dhe shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore për gjetjen e një zhgjidhjeje për krizën.”, tha Meta.

Telefonata e regjistruar me Bashën

Meta tregoi se më 8 qershor pati një telefonatë me kreun e PD-së Lulzim Basha, telefonatë të cilën e regjistroi për arsye përgjegjësie. Ai theksoi se as Basha dhe as bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, nuk kanë ndikuar në marrjen e vendimit të tij për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

“Përsa i takon nëse vendimi është influencuar nga Basha, Berisha, ja po e shtoj edhe nga Monika…Absolutisht. Madje dëgjova edhe një politikan me përvojë që thoshte se Presidenti e ka bërë këtë vendim për t’i shërbyer opozitës, kur vetë është në opozitë. Nëse kjo i shërben, i shërben pikërisht atij. Zoti Basha këtë vendim e ka marrë vesh vetëm në orën 7:10-15 të fillimit të mitingut, përmes një telefonate zyrtare dhe Basha nuk e ka ditur, e cila është e regjistruar përmes sekretarisë telefonike. Ku i është kërkuar që të ndërpritet mitingu në çdo moment që do të ketë manifestim dhune, edhe që do të bëhej publik vendimi për anulimin e zgjedhjeve për të çtensionuar manifestimin dhe që të përfundonte sa më shpejt. Ky vendim nuk bëhet për të plotësuar tekat e opozitës përkundrazi opozita ka çështje mjaft të drejta që i ngre dhe unë i kam përkrahur edhe nga pozita të drejta. Por opozita ka edhe tekat e saj në kushte të caktuara dhe unë nuk jam këtu për të ndihmuar tekat e opozitës, por as kurrsesi për të toleruar që Shqipëria përveç datave mjaft problematike që ka me historinë e saj që nga 2 Prilli, 26 Maji apo më pas 28 Maji, 14 shtatori, 21 Janari të kishte edhe 30 Qershorin apo diçka e tillë më para. Në bazë të gjithë ta dhënave jo për shkak të vullnetit të drejtuesve të dy palëve por për shkak të grupeve të interesave të caktuara jashtë dhe brenda vendit situata në 8 qershor mund të shfrytëzohej për akte që do të dëmtonin rëndë stabilitetin e vendit. Në bazë të gjithë ta dhënave jo për shkak të vullnetit të drejtuesve të dy palëve por për shkak të grupeve të interesave të caktuara jashtë dhe brenda vendit situata në 8 qershor mund të shfrytëzohej për akte që do të dëmtonin rëndë stabilitetin e vendit dhe që faji të mbetet jetim. Vendimi u mor pas bisedave me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese këtu.”

“Ajo ishte për përgjegjësitë e mia dhe të zotit Basha nëse do të kishte probleme në miting.”, tha presidenti.

Takimet sekrete me Ramën

Presidenti zbuloi se gjatë këtyre ka zhvilluar disa takime sekrete me kryeministrin Edi Rama dhe se vendimi tek ai nuk ka ardhur aspak si surprizë.

“Kam qenë dhe pak sëmurë këtë javë me thënë të drejtën por sikur po bëhem pak më mrië. Dreka ime me Berishën nuk ishte sekret siç e patë, dhe unë pata shumë kënaqësi. Nga e dinte zoti Rama. Kemi patur një drekë sekrete. Kemi patur disa. Kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë se sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe për tejkalimin e saj dhe sigurisht i takonte atij si kryeministër të kërkonte një datë tjetër për zgjedhjet vendore. Që me datë 24 maj kam shprehur gatishmërinë time për t’i shërbyer një zgjidhjeje pas dakordësimit të palëve, për të gjetur zgjidhjen për një datë tjetër. Kjo nxitje e imja për diLog nuk ka funksionuar dhe dy tre ditë përpara se të merrej ky vendim, zoti Rama ka qenë në një emision televiziv dhe ka vënë në dijeni se pala e tij nuk e vë në diskutim 30 qershorin. Nuk e kam parë të arsyeshme të vizitoj kryeministrin Rama ato ditë. E vërteta është që kam bërë një përpjekje për të takuar zotin Ruçi si kryetar Kuvendi, por ai ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës kështu që kjo është arsyeja se pse zoti Rama nuk ka qenë i surprizuar pas këtij vendimi. Unë jam  suprizuar nga vendimi i tij.”, tha Meta.

Mesazhi për ndërkombëtarët

Presidenti Meta gjatë fjalës së tij përcolli dhe disa mesazhe për ndërkombëtarët, të cilëve u kërkoi të mos krijonin ngatërresa por të kontribuonin me përgjegjshmëri në zgjidhjen e krizës. Ai u kujtoi se ndërkombëtarët nuk kanë tagër lidhur me vendosjen e datës së zgjedhjeve.

“Unë me zotin Lajçak kam patur një bisedë shumë të këndshme dhe pak më parë. Nëse dikush nga Brukseli mund të nxjerrë ndonjë dekret për zgjedhjet, ta nxjerrë. Për mua është e qartë, presidenti i Republikës jam unë. Përgjegjësinë për stabilitetin e vendit e kam unë, të gjithë janë të mirëpritur për kontribute konstruktive. Kontribute me ngatërresa jemi lodhur me ngatëresa deri më tani.

Nuk kemi nevojë as për eurojuristë, as për eurodiplomatë. Kemi nevojë për njerëz të përgjegjshëm, që i qëndrojnë parimeve europiane.”, tha Meta.

Po ashtu ai u bëri thirrje duke u treguar se për të ndjekur votime dhe jo zgjedhje, të shkonin në Korenë e Veriut dhe jo në Shqipëri.

“Pluralizëm zgjedhje të lira dhe unitet. A ka ndonjë që beson se zgjedhjet e 30 qershorit do të ishin të lira dhe demokratike dhe shqiptarët do të shprehin vullnetin e tyre? Ju jeni të rinj, por ka një dallim mes zgjedhjeve dhe votimeve, shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje jo votime, se ashtu kanë pasur 45 vite. Nëse ka ndonjë europian dhe amerikan që do të monitorojë zgjedhje të tilla, le të shkojë në Korenë e Veriut, këtu jo se ka ardhur pluralizimi politik. Zero janë mundësitë pa e zgjidhur këtë krizë, jo për të çelur negociatat tani, por as në shtator dhe shumë vite integrimi nuk do të duket në horizont”, tha Meta.

Tagrin e ka vetëm Presidenti

Meta theksoi jo një, por disa herë se tagrin për të vendosur datën e zgjedhjeve e ka vetëm ai.

“Mos u bëni qesharakë ju lutem shumë. Në Republikën e Shqipërisë ka vetëm një institucion i cili shpall zgjedhjet dhe ky institucion është presidenti i Republikës. Vendimet e tij i gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese. Nuk i ndaloj t’i çojnë dhe në gjykatën Administrative, apo Gjykatën e rrethit të Skraparit por zgjedhje në Republikën e Shqipërisë nuk ka dhe nuk do të ketë pa e vendosur presidenti.”, tha Meta.

Frikë nga Rama?

I pyetur nga gazetarët, nëse ai kishte frikë nga drejtësia e Ramës Meta kishte këtë përgjigje: “Kam unë frikë?  Rama e di që unë nuk kam frikë nga asgjë, pastaj e di dhe Ambasada Amerikane.

Unë kam frikë vetëm nga përgjegjësia që kam para popullit shqiptar për detyrat që unë kam dhe populli duhet ta dijë se Reforma në Drejtësi, nëse u miratua në konsensus dhe nëse sot Shqipëria ka një rekomandim pozitiv e ka prej asa lufte që unë kam bërë për të arritur këtë konsensus sepse Shqipëria as rekomandimin për çeljen e negociatave nuk do ta kishte.”.

Përpjekjet për shkarkim

Presidenti Meta filloi të qeshte kur e pyetën për përpjekjet e maxhorancës për ta shkarkuar. Ai kujtoi se vetë ishte ofruar për të dhënë dorëheqjen në rast se i shërbente krizës dhe nuk e kuptonte arsyen e këtyre përpjekjeve nga ana e socialistëve.

“Unë nuk e kuptoj pse duan të më shkarkojnë. Kujtoj se unë jam vetëofruar për ta lënë këtë detyrë edhe gjithmonë gati që kjo sakrificë të bëhet në zgjedhjen e kësaj krize dhe gjithçka të funksionojë normalisht. Zgjidhim krizën pastaj ikën presidenti.”, tha Meta.

Kriza do zgjidhet

Meta në fund të fjalimit të tij u tregua u vendosur dhe i bindur se kriza politike në vend do të gjejë zgjidhje.

“Ore si s’do ta zgjidhim krizën ne, jeni në terezi ju? Nuk kanë mbaruar as shqiptarët e përgjegjshëm, as europianët e përgjegjshëm. Të kini besim ju! Mirupafshim! “, përfundoi Meta./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *