Templates by BIGtheme NET

Gazetari gjerman: Rama të pranojë shtyrjen e zgjedhjeve, ose vendi shkon në luftë civile

Matthias Rub, gazetari gjerman i gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka dhënë opinionin e tij për skenarin më të mirë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, që sipas tij është shtyrja e zgjedhjeve me konsensus.

Në një interviste për gazetën “Deutsche Welle”, Rub tha se Rama do të pranojë shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas tij, nëse nuk do të ketë marrëveshje, atëherë vendi do të përfshihet nga trazira të mëdha të ngjashme me një luftë civile.

“Skenari më i mirë do të ishte që zgjedhjet lokale të shtyhen me ujdi, pra që Rama të mos këmbëgulë që të bëhen zgjedhje në fund të qershorit. Skenari më i keq do të ishte, nëse Partia Demokratike e forcon momentin e rrugës, kur mund të ketë trazira e ndoshta situata të ngjashme me një luftë civile. Ka ende mundësi që të gjendet një kompromis e të gjithë aktorët politikë janë të thirrur ta kërkojnë atë.”, tha Rub.

Gazetari gjerman theksoi se edhe nëse mbahen zgjedhjet lokale tani, ato nuk kanë kuptim kur partia më e madhe opozitare nuk merr pjesë.

“Më duhet të them, se edhe nëse do të mbaheshin tani zgjedhjet lokale ato nuk kanë shumë kuptim, kur ato i bojkoton partia më e madhe e opozitës. Edhe sikur të mbaheshin ato nuk çojnë në forcim të legjitimitetit të qeverisë e kryeministrit Rama.”, tha gazetari gjerman.

I pyetur nëse Brukseli mendon se opozita po e ekzagjeron me denoncimet për vjedhjen e votave, Rub tha se nuk mendon kështu. Ai madje shtoi se kryeministri Edi Rama e ka humbur mbështetjen e kancelares gjermane Angela Merkel.

“Këtë nuk e besoj. Për kryeministrin Rama është një problem që në Bruksel dhe në Berlin mbështetja për të po bie. Ai beson, se Merkelin e Junckerin e ka në anën e tij, por më duket se CDU/CSU nuk janë në anën e tij, ata duan ta shtyjnë vendimin e BE-së për hapjen e negociatave. Realisht duket, se po bëhet e vështirë për qeverinë Rama në Bruksel. BE është e zënë me veten, me Brexit. Tani do të shikohet me shumë vëmendje, se çfarë ka të vërtetë në akuzat për bashkëpunim me kartelet, me mafian e drogës. Duket se po mbyllet ajo dritare që shkonte në favor deri tani për qeverinë e Ramës.”, tha gazetari Rub.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto