Templates by BIGtheme NET

Kush janë 7 deputetët që votuan kundër rezolutës për Metën

Parlamenti miratoi sot rezolutën kundër Presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nga 110 deputetë që ndodheshin të pranishëm në sallë, 100 votuan pro rezolutës që i hap rrugë kërkesës së socialistëve për shkarkimin e kreut të Shtetit, 7 votuan kundër, 2 abstenim dhe 1 nuk votoi fare.

Shtatë deputetët e vetëm që mbështetën presidentit, ose të paktën nuk e votuan këtë rezolutë, janë Lefter Maliqii, Fatjona Dhimitri, Elda Hoti, Klajda Qama, Artur Roshi, Vasil Sterjovski dhe Besnik Troplini.

Dy deputetët që abstenuan janë Ramazan Gjuzi dhe Enada Kapllani.

Ndërsa deputeti që nuk votoi fare ishte Tahir Koçi.

Sakaq, deputetët që nuk ndodheshin në sallë e si rezultat nuk votuan janë: Adriatik Alimadhi, Amra Barova, Tom Doshi, Ralf Gjoni, Rudina Hajdari, Edlira Hyseni, Erion Piciri, Suzana Topi, Fatmir Velaj.

Në rezolutë, maxhoranca e konsideron dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, një akt të paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit si të vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019”, citohet në rezolutë.

Socialistët kërkojnë shkarkimin e presidentit Meta, pas vendimit të tij për shtyrjen e zgjedhjeve. Mirëpo për shkarkimin e presidentit, duhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila prej dy vjetësh tashmë është jashtë funksioni. Por edhe Gjykata Kushtetuese nga ana tjetër nuk mund të formohet pa presidentin e Republikës./Hashtag.al

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*