Vendosni fjalën kyçe....

“Bileta fituese” e prokurores Millonai për vettingun, arrestimet e Çapjave në Elbasan


Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit, Enkeleda Millonai, e kishte parashikuar si biletën e saj fituese përballë Vetingut një operacion kundër familjes Çapja, të njohur si rivalë të fortë të një bande kriminale, e cila ka lidhje me kryebashkiakun socialist të qytetit, Qazim Sejdini.

Dy ditë më parë, shefja e prokurorisë së Elbasanit, e cila konkurron për një vend në Prokurorinë Speciale SPAK, ka nënshkruar urdhër arrestet për disa persona në Elbasan dhe një anëtare të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA), në një hetim për “korrupsion”, të derivuar nga një hetim tjetër, për një ngjarje kriminale, ende të pazbardhur.

Urdhër-arrestet i janë dhënë për zbatim Policisë mëngjesin e së Premtes, vetëm pak orë para se Millonai të përballej me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi në detyrë.

Nëpërmjet urdhërave të arrestit, Prokuroria e Elbasanit legjitimoi edhe ndërhyrjen e policisë në pronat e familjes Çapja ku, sipas informacioneve “burimore” nga Policia, janë gjetur disa armë të ftohta dhe lëndë narkotike.

Hetimi

Në vitin 2013, shtetasi Bledar Karaj i shpëton një atentati. Burime nga Policia e Elbasanit deklaruan për “Boldnews.al” se personi i dyshuar për këtë atentat ka qenë Suel Çela, një personazh i njohur i botës së nëndheshme në qytet dhe lidhje e fortë me Qazim Sejdinin.

I dëmtuari Karaj nuk ka pranuar të identifikojë si autor të dyshuar Suel Çelën. Hetimi për atë rast u pezullua për mungesë autori.

Në vitin 2018, në lokalin e shtetasit F.C vendoset një sasi tritoli, e cila shkakton vetëm dëme materiale.

Pas kësaj ngjarjeje, policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë rnisur hetimet, si edhe kanë rihapur disa hetime të vjetra, duke vendosur në përgjim disa persona, përfshirë edhe “shënjestrën” e vitit 2013, Bledar Karaj.

Ndërkohë që kanë kaluar shumë muaj dhe nuk ka asnjë zhvillime të rëndësishme nga hetimet për atentatet, Prokuroria dhe Policia e Elbasanit duket se janë fokusuar më së shumti në disa çështje të tjera, të cilat lidheshin me të dëmtuarin Karaj dhe familjen Çapja.

Sipas burimeve policore, në përgjimet e zhvilluara për atentatin e dështuar, specialistët e përgjimeve kanë kapur edhe disa komunikime ndërmjet Bledar Karajit, i cili interesohej për lejimin e transmetimit të një televizioni kabllor të palicensuar.

Hetimi te AMA

Nga përgjimet e zhvilluara në kuadër të hetimit të prokurorisë së Elbasanit, gjithnjë sipas burimeve policore, ka rezultuar se Bledar Karaj, nëpërmjet një shtetasi tjetër, Artan Drazhi, ka ndërhyrë tek anëtarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Suela Musta, për të mundësuar që një televizion kabllor në Elbasan të vijonte aktivitetin pa licensë.

Në bazë të këtyre përgjimeve, prokuroria e Elbasanit ka regjistruar procedimin penal për “korrupsion pasiv” ndaj zyrtares së AMA-s dhe të tjerë personave që kanë rezultuar nga hetimi.

Deri më tani është ende e paqartë lidhja e televizionit kabllor me familjen Çapja. Në media të ndryshme është raportuar se televizioni kabllor, për të cilin është ndërhyrë tek zyrtarja e AMA-s është nën administrimin e fisit Çapja.

“Boldnews.al”, deri në momentin e këtij shkrimi, nuk e ka konfirmuar zyrtarisht lidhjen e Çapjave me televizionin kabllor. Gjithësesi, për prokurorinë dhe policinë e Elbasanit, kjo lidhje duhet të ekzistojë. Kjo, për faktin se në vijim të hetimit për “korrupsion”, policia ka kryer bastistje edhe në biznesin e asaj familjeje në Elbasan.

Në vijim të këtyre hetimeve, sipas informacioneve nga Policia, mësohet se i arrestuar me vendim gjykate është F. Çapja. Po ashtu, sipas të njëjtave burime është arrestuar anëtarja e AMA-s, gazetarja Suela Musta dhe shtetasit e identifikuar me iniciale B.K. A.D. A.N. dhe I.H.

VINI RE: Shkrimi është pronësi intelektuale e “Boldnews”. Titulli redaksional, origjinali: “Hetimi i plotë/ Nga atentati kundër mikut të Çapjave tek “korrupsioni” në AMA”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *