Vendosni fjalën kyçe....

Basha i prerë: Nuk do lejohen, pranohen e as njihen zgjedhjet e 30 qershorit


Kreu i opozitës Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat pas takimit me diplomaten amerikane Leyla Moses-Ones, ka thënë që as nuk do i lejojë dhe as nuk do i njohë zgjedhjet e 30 qershorit.

“Cilat zgjedhje?! Po s’ka zgjedhje më 30 qershor. Shumë pak njerëz nuk e kanë kuptuar këtë. E para e punës nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut. Një sekondë. S’ka rëndësi se çfarë mendon kryeministri. Rëndësi ka që ka një standart europian, që proces zgjedhor pa opozitën nuk është proces zgjedhor.

Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë. Nuk do lejohen, nuk do pranohen e nuk do të njihen.

E dyta, sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Dekreti i presidentit të Republikës qartësisht ka ç’dekretuar datën 30 si datë zgjedhjesh.

Që do të thotë se çdo hap i Edi Ramës, fushatë, takime elektorale janë të paligjshme.

30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, është data kur Edi Rama do përpiqet t’i kthejë shqiptarët në zgjedhje monopartiake.”, tha Basha.

Kryedemokrati u pyet nga gazetarët nëse është e vërtetë që ka kërkuar nga të zgjedhurit e opozitës në pushtetin lokal që të krijojnë incidente në 30 qershor. Por ai tha se ky ishte vetëm një mashtrim.

“Ku e keni marrë këtë informacion. Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës që paguhen me paratë që u vjedhin qytetarëve shqiptarë. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij.”, tha kryedemokrati.

Përsa i përket takimit me Moses-Ones, Basha nuk pranoi të jepte asnjë detaj. Ai tha se takimet që ka me diplomatët e huaj nuk kanë qenë kurrë subjekt i bisedave të me përfaqësuesit e shtypit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *