Templates by BIGtheme NET

Rebelohet Ballkani, protesta kundër liderëve nga Tirana në Beograd

Përvetësimi, mashtrimi i taksave, mashtrimi, dhuna dhe infiltrimi kriminal. Vija e kuqe, korrupsioni, duket se është bërë shkak për protestat që në muajt e fundit po ndezin Ballkanin dhe Evropën Qendrore, nga Republika Çeke, Serbia, Mali i Zi në Shqipëri.

Aq shumë sa media dhe analistë guxojnë t’i vënë emrin unik dhe artificial të “Pranverës Ballkanike”.

Ngjarja e fundit e madhe ndodhi vetëm dy ditë më parë: E diel, më 23 qershor, mbi 300 mijë njerëz dolën në rrugë në Pragë për të protestuar kundër qeverisë së Andrej Babisit, vetëm një javë pas protestës së mëparshme që pati një pjesëmarrje të madhe.

Njeriu i dytë më i pasur në vend, Babis akuzohet për konflikt interesi dhe dyshohet për mashtrim për miliona euro në kontekstin e fondeve të BE.

“Nuk jap dorëheqje, nuk kam bërë asgjë të gabuar”, këmbëngul kryeministri çek, duke shtuar pakënaqësitë dhe protestat në rrugë.

Pak ditë më parë e kishte radhën Shqipëria, me opozitën e qendrës së djathtë të udhëhequr nga Lulzim Basha, i cili protestoi në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama.

Akuza: mashtrimet zgjedhore gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 që e sollën atë në pushtet, mashtrim dhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Një situatë kjo e Shqipërisë, e cila po përkeqësohet në funksion të zgjedhjeve lokale të planifikuara për 30 qershor.

Të bojkotuara nga opozita, zgjedhjet u anuluan më 9 qershor nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sipas të cilit nuk do të kishte kushte për t’i zhvilluar ato në mënyrë të sigurtë dhe me demokraci.

 “Një akt individual dhe jokushtetues”, u përgjigj Rama, duke përsëritur se zgjedhjet do të ndodhin në datën e caktuar dhe madje filloi procedurat për largimin e Kreut të Shtetit.

Përplasja midis qeverisë dhe opozitës, e cila po vazhdon për një kohë të gjatë, me demonstrata të shumta që kanë parë gjithashtu përdorimin topave të ujit dhe gazit lotsjellës nga policia, rritje të dhunës në të dyja palët, ka shtyrë zyrat diplomatike të Italisë, Evropës dhe SHBA-së për të ndërhyrë.

Akuza për korrupsion dhe protesta në shkurt, ka patur edhe për presidentin e Malit të Zi, Milo Dukanoviç. Në kulmin e këtyre protestave u mblodhën më shumë se 25 mijë njerëz në rrugë në një vend prej 620 mijë banorësh.

Dukanoviçi për një kohë të gjatë ka qenë objekt i hetimeve dhe dyshimeve për bashkëpunim me organizatat kriminale dhe gradualisht ka çuar në transformimin e Malit të Zi në një shtet njëpartiak. Edhe pse fitili që solli protestat në muajt e fundit ishte mbi të gjitha një video që tregon presidentin e grupit të fuqishëm financiar Atlas, Duško Knežević, që i dërgon një zarf me një dhuratë ish-kryetarit të komunës së Podgoricës, Slavoljub Stijepović, ish-anëtar i partisë në pushtet. Video u publikua nga vetë Knežević,  i cili pastaj iku në Londër për të shmangur arrestimin.

Së fundmi, Serbia – vendi me të cilin Brukseli krenohet për procesin e integrimit në BE midis vendeve të tjera në rajon.

Demonstratat e qytetarëve dhe kundërshtimi ndaj pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiç vazhdojnë. Ai akuzohet për mashtrim zgjedhor në zgjedhjet e vitit 2016, sulmet ndaj gazetarëve, korrupsioni dhe procedurat e paqarta në ndarjen e fondeve të destinuara kryesisht për mediat pro-qeveritare.

Me sloganin e protestave “Një nga pesë milionë”, Vuçiçi deklaroi: “unë nuk do t’i pranoj kërkesat e protestuesve edhe nëse ato do të ishin pesë milionë”.

Cikli i protestave filloi përsëri në fund të nëntorit 2018 pas sulmit ndaj politikës së opozitës Borko Stefanoviç . Edhe sot, protestuesit vazhdojnë të bëjnë thirrje për zgjedhje të lira dhe për t’i dhënë fund të dhunës politike në vend.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Ipaesesera.it

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto