Templates by BIGtheme NET

Pse njohim Imer Lalën dhe s’njohim Andon Vasilin?

Në vitin 2014, gazetari me përvojë Ferdinand Dervishi, publikoi në ABC-News një dokumentar të jashtëzakonshëm ku rrëfehej historia e Andon Vasilit në vitin 1997, një ish-drejtor  i Bankës së Kursimeve të Sarandës. Vasili u përfshi në një zinxhir ngjarjesh të rrezikshme dhe aventureske, në fund ai arriti që të ruante dhe të depozitonte në një bankë greke, thesarin e Bankës së Kursimeve të Sarandës, duke mos u lënë më mundësi grabitësve të armatosur në vitin 1997 që ta vidhnin.  

Le ta rrëfejmë fillimisht këtë histori me citimet e Andon Vasilit:

“Në vitin 1997, në kulmin e trazirave, nisem si çdo ditë për punë, asokohe drejtoja Bankën e Kursimeve në Sarandë. Kur shkoj atje, konstatoj se banka ishte bastisur, por grabitësit anarkistë nuk kishin mundur dot të thyenin kasafortën qendrore. Kasaforta qendrore ishte e paprekur.
Unë komunikova në telefon me ish-drejtorin e Përgjithshëm të bankës, Bedri Çollakun. Ai ishte njeri i jashtëzakonshëm. Në telefon më tha se gjëja më e rëndësishme për të ishte që unë të siguroja jetën e punonjësve të Bankës. Dua të mos mbetet viktimë asnjë punonjës i Bankës tha. Për çështjen e parave, unë nuk kam ndonjë rekomandim më tha, gjyko si të duash, unë nuk jam atje që të jap receta mbi mënyrën se si do i konservosh.
I kërkova leje nëse paratë, valutën e huaj, ta depozitoja në Korfuz ose Janinë dhe më tha që ti je njeri i përgjegjshëm vet dhe gjyko ose vepro si të duash”, rrëfen Vasili.

Pasi niset për në Greqi, Vasili i mbajti paratë në fund të një thesi, duke i mbuluar me rrecka të vjetëruara dhe me ushqime. Gjatë rrugës Andon Vasili hiqej si memec me probleme mendore, që të mos binte në sy. Afër Kakavijës atij i ndodhi dhe një episod”

“Në Kakavijë një bandë na ndaloi dhe pashë dy persona që ishin si më kryesorët e bandës. Banda kishte dalë në postbllok për të grabitur ndonjë emigrant. E mora thesin me lekë dhe e çova te këmbët e tyre, sepse në këtë mënyrë ata do ta konsideronin si plaçkë të parëndësishme, meqenëse lekët nuk dukeshin dhe ishin të mbuluara me rrecka e me ushqime. Unë u hoqa si memec dhe nisa të flisja përçart dhe atyre pasi më panë ashtu më rroba të grisura e si memec i çmendur, u erdhi keq e më thanë hajde këtu e të të tregojmë nga duhet të kalosh për Greqi”, – rrëfen Andon  Vasili.

Pasi deklaroi lekët në doganën greke ai u paraqit në bankën greke të Janinës dhe hapi llogari bankare atje në emrin Andon Vasili, Banka e Kursimeve në Shqipëri nuk kishte numër llogarie atje. Pasi hapi llogarinë ai depozitoi lekët dhe kërkoi takim me drejtorin grek të bankës. I shpjegoi kush ishte e nga vinte, si dhe nisi një zarf postal ku njoftohej shteti shqiptar për veprimin dhe në këtë mënyrë Andon  Vasili linte gjurmë për depozitimin e bërë në Greqi, në mënyrë që askush të mos e paragjykonte dot si hajdut në rast se vritej më pas.

Ky është itinerari i Andon vasilit i shpjeguar shkurt, një histori e jashtëzakonshme, që përveç sakrificës që ai bëri në vitin 1997, e rivendosur në kontekstin e sotshëm, kjo histori është një shembull i mirë për të kuptuar se ku kemi degraduar.

Sot Andon Vasili punon në Ministrinë e Financave në Greqi. Shteti grek e mori këtë zyrtar të pazakontë  dhe e vendosi në funksion të tij.

Emri i Andon Vasilit u propozua dikur edhe për Guvernator të Bankës së Shqipërisë, por propozimi u shpërfill nga njerëzit e pushtetshëm në Tiranë, që më pas emëruan dikë që mund ta kontrollonin e urdhëronin: Gentjan Sejkon.

Andon Vasili dhe fabula e tij është shembulli më domethënës që tregon se si shteti shqiptar ka degraduar shumë herë më keq se sa në vitin 1997. Kujtoni pak grabitjen e Bankës Qendrore dhe sasisë së parave të destinuara për shkatërrim në kohën e Ardian Fullanit dhe krahasojeni skandalin Fullani në kohë paqeje, me sakrificën e Vasilit në vitin e trazuar 1997.

Por nëse në vitin 1997 bandat ishin në rrugë, sot në vitin 2019, përgjimet e prokurorisë treguan se bandat kanë zënë vend në rangjet më të larta të drejtimit politik e shtetëror, ndoshta kjo është arsyeja pse sot të gjithë ne e dimë se kush është Imer Lala, por shumë pak e dinë se kush është Andon Vasili.

Sot, Edi Rama, Ilir Meta e Lulzim Basha janë kthyer në “qendrën e botës” nëpërmjet konfliktit të tyre, përplasjeve për datën e zgjedhjeve, duke futur shoqërinë në një hulli polemikash e paranojë përplasjeje, duke mbajtur në ankth njerëzit “mbi atë që mund të ndodhë”.

Esencën e kemi, zyrtarë si Andon Vasili kanë ikur nga ky vend, i shërbejnë shteteve të tjera, ndërsa këtu ka mbetur një taraf i ngushtë drejtuesish politikë, të paaftë për të sjellë meritokraci e zhvillim, të degraduar, që në shumatoren e veprimeve të tyre i kanë hapur rrugën Imer Lalës (e të ngjashmëve të tij majtas e djathtas) dhe kanë bërë të marrin valixhet zyrtarë si Andon Vasili. / Hashtag.al

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*