Vendosni fjalën kyçe....

Humbja e përkorës


Nga Aurel Plasari

(Nga cikli “Me historinë poshtë nënkresës”)

Moment të vështirë kam provuar për të kthyer në jetë termin e pastër shqip “përkorë” kur më është dashur të shpjegoja në auditor ndryshmin e konceptit enkratia mes parasokratikëve dhe passokratikëve në historinë e mendimit të vjetër etik dhe estetik.

Ndërkohë që “përkora” ruhej në Fjalor, në jetën e gjallë ajo paskësh humbur. Po “të përkurmit” gegnisht? Ai qe zhdukur edhe nga Fjalori.

Kisha qëlluar me fat që, si fëmijë, ta shuaja kureshtjen edhe në librat e vjetër të shtëpisë, pos librave “sinoptikë” që na ofronin në shkollat e socializmit. E gjej ende librin “Këndime per shkollë të para të Shqypnís” që, në ato vite të largëta, e paskam pas përdorur edhe për të shtënë ndër faqet lule për t’i thanë:    

“31. Të përkurmit. Galeni, nji nder ma të mëdha, qi kan kênë motit, rrnoj nji qind e katërdhet vjet. E me se e prujti deken kaq mot? Ndien’je e mban’je mênd! Kaq fort e ruejti vedin në hae, sá kurr nuk u çue prei buket ngieshëm krejt. Prei dreket ruejte nji grimë û [uri] per darkë; e mbas darket, kur shkote me rá, kishte ndale do û [uri] prep per në e nesre. Qishtû, pa u shkatërrue kurrsesi, mbaroj prei pleqnijet, si ’j kandil qi i mungon voji”.

32. Mësime. Ma e shumta e lëngatve, qi kena në trup t’onë, na vinë pse teprojmë në hae e në pije. I perkurmi âsht i shëndoshtë, ne shênd gjithmonë, i nderuem prei gjithkui, e rrnon shum. Ngopsi e sarhoshi ankon gjithmonë ndo’j sênd në trup të vet; rrall se e shef në shênd, i ndyhet gjithkui e shkurton jeten e vet. Kush do me rrnue shum, do të hán ká pak; haeja qi lên mbas të ngiemit, të bân má mir se haeja qi ké hangrë perpara”.

Mësoj sot që “Këndimet” në fjalë i paskemi prej së nderuarës dorë të vetë Ndre Mjedës së madh dhe libri, pa vend as vit botimi, është i vitit 1905 dhe i botuar në Vjenë. Pa autor, afërmendsh, sepse Shqipëria e asaj kohë bënte ende pjesë në “Turqinë europiane”, ndërsa dom Ndre Mjeda shërbente si famullitar i thjeshtë në Dajç.

Mirëpo “Këndimet” janë tekst mësimor për fëmijë. Mjeda mësues nuk mund të fliste veçse për “të përkurmit” në tryezë. Koncepti i përkorës (gr. Enkratia, lat. Temperantia) përshin gamë përdorimi shumë më të gjerë. Hipokrati, për shembull, e shtriu atë edhe në të fjetur, në të punuar, në të dashuruar po se po, deri në të sunduarit.            

Vetë termi i greqishtes së vjetër vjen nga “en” (në) dhe “kratos” pushtet, në kuptimin që ta mbash veten në zotërim ose ta bësh veten zap, që të kontrollosh e të përmbash si pasionet e instinktet, ashtu edhe lakmitë, duke u vënë atyre fre. Madje për Ksenofonin përkora nuk qe një virtyt ndër virtytet, por “baza e të gjitha virtyteve”. Ndër romakët ishte Seneka që e shtriu atë edhe në fushën e sundimit politik duke u kujtuar sundimtarëve që asnjë perandori e dhunshme nuk jeton gjatë dhe vetëm “gjithë sa është ‘temperatus’ i qëndron kohës”. Në historinë e së Drejtës Romake koncepti ndikoi aq shumë sa u përdor rëndom edhe për organizimin ose e rregullimin e shtetit me anë të ligjeve: “temperare rem publicam legibus”. 

Enkratia në gr., temperantia në lat. etj. u trashëgua edhe në preceptet e dy besimeve të mëdha fetare të qytetërimit europian, pavarësisht nga ndryshimi i shekujve. Si i tillë ai rezulton virtyt që ka ndihmuar bukur shumë për ta bërë qytetërimin europian sa më funksional.

Në të kundërt mungesa e një virtyti të tillë bazik ka rrënuar përgjatë historisë shumë e shumë jetë njerëzish duke u bërë shkak për çrregullime nga më të përbindshmet njerëzore. Mungesa e tij ka shkaktuar drama dhe tragjedi jo vetëm individuale e shoqërore, por edhe kombëtare, konflikte dhe konflagracione, deri luftëra civile dhe rroposje kulturash. Ai Shakespeare, që dinte pothuaj gjithçka nga katalogu i veseve, jo më kot e përshkroi mungesën e virtytit në fjalë si pasion shkatërrimtar që vdes tok me triumfin e vet të parë: si baroti sapo që puthet me zjarrin.

Nuk paska qenë pra vetëm çështje pehrizllëku, në pimë dy apo tre kafe në ditë. As vetëm çështje me mbajtë gjuhën, me rrudhë gojën. Mjeda mësues në “Këndimet” e veta nuk mund t’u mësonte më shumë fëmijëve për “të përkurmit”. Tani që nuk jemi më fëmijë na bën mirë të kuptojmë që edhe për masën e pushtetit ka një dietë. Në vend të mjekut, rekomandimet për të i ka dhënë historia: janë ato limite që nuk do të duhet t’i kapërcesh, përndryshe nuk mund ta dish se ku do të ndalesh.

 

VINI RE: Ky shkrim është konceptuar enkas për Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *