Templates by BIGtheme NET

Drejtori i Soros Kosovë: Sorosi nuk ndërhyn në çështje të brendshme të shteteve, e fajësojnë ata që dështojnë

 

George Soros dhe fondacionet e tij nuk ndërhyjnë në çështje të brendshme të shteteve ku veprojnë, ndërsa akuzat e tilla bëhen prej atyre që dështojnë në projektet e tyre politike. Kështu thotë Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, duke komentuar akuzat e fundit në adresë të Sorosit, një miliarder dhe filantrop amerikan me prejardhje hungareze.

Në një intervistë për Koha.net, Shllaku hedh poshtë akuzat që së fundi po u bëhen Sorosit dhe fondacioneve të tij në Shqipëri, ndërsa tregon edhe për rolin që Sorosi ka edhe në raport me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke përmendur disa analiza të publikuara e të mbështetura nga Fondacioni në Prishtinë, që qartë e identifikojnë idenë e ndarjes së Kosovës dhe këmbimit të territoreve si shumë të rrezikshme.

Koha.net: Zoti Shllaku, në sfondin e krizës së fundit politike në Shqipëri, në Tiranë janë hedhur akuza të rënda në drejtim të George Sorosit dhe Fondacionit të tij për Shoqëri të Hapur. Politikanë e përkrahës opozitarë shqiptarë kanë akuzuar Sorosin se qëndron në krah të pushtetit të Edi Ramës. Derisa këto polemika kanë zënë vend qendror në debate të medieve shqiptare, e gjitha – ndonëse me më pak vëmendje – është përcjellë edhe në Kosovë. Çfarë vërtet po ndodh?

Shllaku: Nuk është zhvillim i papritur për mua. Sa herë që ndodhin lëvizje të mëdha politike dhe sa herë që kemi fitues dhe humbës potencialë, siç ishte situata me zgjedhjet lokale në Shqipëri, apo edhe në Maqedoni pak më parë, palët që humbin duhet ta arsyetojnë dështimin. Dhe, sipas një rregulli të pashkruar, fajtori kërkohet jashtë tyre.

Për të arsyetuar dështimet e tyre kohëve të fundit askush nuk harron ta fajësojë Sorosin, i cili na vjen si forcë pothuajse e mbinatyrshme, që mund t’i drejtojë proceset politike në çdo kënd të botës.

E dini se kush janë sot oponentët më të zhurmshëm të Sorosit në botë? Janë Putini, Orbani, Erdogani, Gruevski, Trumpi dhe Berisha. Nuk më kujtohen të tjerët! Shpresoj se nga ky fakt mund të mësojnë shumë ata që duan të gjykojnë drejt për Sorosin.

Koha.net: Por, Sorosi dhe fondacionet e tij në Ballkan janë të akuzuar vazhdimisht për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zhvillimet e brendshme politike në këto hapësira. Janë të implikuar George Soros dhe Fondacioni i tij në zhvillimet politike në Shqipëri dhe rajon?

Shllaku: Më lejoni të them për fondacionet nacionale së pari. E para, kurrë, në këta 25 vjet sa ekziston fondacioni “Soros” (KFOS-i) në Kosovë, nuk ka ndodhur që zyra qendrore e New Yorkut apo vetë George Sorosi, që është kryetar i Bordit global të fondacioneve, të përzihet në punët që fondacionet bëjnë në terren. Se çka do të punojmë, si do të punojmë dhe me kë do të punojmë e përcaktojmë ekskluzivisht ne vetë – Bordi lokal dhe stafi i Fondacionit në secilin vend respektues. Zyra e New Yorkut ka rol ekskluzivisht mbështetës të strategjive që ne vetë i mendojmë. Pra, përveç mjeteve financiare që na sigurohen, nga kjo zyrë mund të kërkojmë edhe ndihmë profesionale për të siguruar realizimin më të suksesshëm të projekteve që i kemi në terren.

Lidhur me pyetjen që ma bëtë, më lejoni t’ju them se edhe në rast se dikujt mund t’i duket se ndonjë fondacion lokal është përfshirë në ndonjë çështje politike që nuk ishte dashur, atëherë ai fondacion e ka bërë kryekëput për shkak të bindjeve të stafit dhe/ose bordit të tij që të veprojë në atë drejtim, dhe kurrë jo se ka marr ndonjë instruksion të tillë nga Sorosi.

Koha.net: Megjithatë, akuzat nuk janë vetëm të përgjithësuara. Në rastin e Kosovës madje është thënë se Sorosi mbështet edhe marrëveshjen e përfolur në dialogun e Brukselit për ndarje të Kosovës dhe këmbim territoresh. Së fundi një medium shqiptar ka raportuar për një analizë të fondacionit “Soros” në Serbi, në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, në të cilën thuhet se Kosova duhet ndarë, se “Trepça” duhet t’i jepet Serbisë etj. Po ashtu, ky portal akuzon George Sorosin dhe të birin e tij, Alex Soros, se për të realizuar ndarjen e Kosovës kanë udhëtuar shumë shpesh në rajon…

Shllaku: E kam parë fatkeqësisht këtë shkrim. Është një trajtim shumë banal i fakteve që ofrohen në të dhe një interpretim edhe më banal i tyre. Autori, duket me qëllim, s’e besoj që mund të jetë aq injorant, ngatërron disa fakte:

E para, ai paragjykon se këtë analizë e kanë bërë ekspertët e Sorosit nga jashtë (Amerika ndoshta), edhe pse nuk e thotë këtë në mënyrë eksplicite, por lë të kuptohet nga habia e tij se autorët thonë “pala jonë” ose “interesi ynë”, gjë që e sjell “Sorosin” në pajtim të plotë me interesat e Serbisë! Nga analiza që jepet secili lexues i këtij portali mund të bindet se autorët janë gjashtë ekspertë serbë të specializuar në lëmenjtë e demografisë, ekonomisë dhe çështjeve sociale. Dhe çka presim ne nga ta, të mos jenë serbë? Të mos thonë “pala jonë” dhe “interesi ynë”?

E dyta, kjo analizë është bërë nga ekspertët serbë, në bazë të kërkesës që ia kanë bërë fondacionit të Beogradit për financim. Kjo është puna që ne e bëjmë – ne i financojmë organizatat dhe individët që bëjnë punën e tyre profesionale, sidomos në lëmenjtë që janë afër përcaktimit strategjik të fondacioneve tona. Pra, Fondacioni nuk e ka shkruar këtë analizë, por e ka financuar si qindra të tjera që i bën çdo vit.

E tash për analizën: para një muaji, në fjalimin që Vuçiqi e bëri në Parlamentin serb, ai e citoi këtë analizë. Ishte ajo pjesë kur ai donte të sillte argumente se Serbisë i duhet patjetër të merret vesh me shqiptarët, sepse analizat thonë se pas 40 vjetëve shqiptarë do të ketë më shumë se serbë në këto treva.

Dhe po ashtu solli edhe argumente të tjera nga kjo analizë për të konstatuar se duhet ta bëjmë një marrëveshje sa nuk është bërë vonë. E ky shkrim i atij portali shqiptar, Hashtag.al, sjell konstatime të paqena se analiza thotë se duhet të këmbehen patjetër territoret në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe se duhet dhënë “Trepçën” Serbisë se ajo sjell shumë para! Ma gjeni, ju lutem, se ku thuhen këto gjëra në raport.

I tërë raporti është në internet si shtojcë e këtij shkrimi skandaloz. Është evidente se autorët e këtij shkrimi nuk e njohin gjuhën serbe dhe duke pretenduar se iu kujtohet diçka nga koha kur kanë parë seriale serbe të emetuara nga vendet përreth, e kanë marrë përsipër ta interpretojnë tekstin! Përndryshe, është skandaloze që ata shkruajnë shqip dhe në shqipen e tyre e quajnë Mitrovicën “Kosovska Mitrovica” dhe Drenasin “Glogovac”. As nuk e kanë idenë se cilat janë këto vende në Kosovë, por, në anën tjetër, duan të na japin leksione politike për Kosovën.

Dhe, e fundit, ky portal shqiptar pyetet pse Sorosi nuk bëri analiza të ngjashme në Shqipëri dhe Kosovë. Mund t’ju përgjigjem për Kosovën vetëm. Ka bërë dhe vazhdon të bëjë tërë kohën analiza që kanë për qëllim ta forcojnë palën kosovare në negociatat e Brukselit. Nëse do të interesoheshin, do t’i gjenin më shumë se 15 analiza të bëra, të cilat njëzëri konstatojnë se nuk duhet bërë këmbim territoresh, sepse është një opsion anakronik dhe shumë i rrezikshëm. Bile, kemi financuar organizata serbe nga Kosova, që e thonë të njëjtën gjë – se ndarja ose këmbimi janë të rrezikshme. Pra, edhe një konstatim fals i këtij portali. Nuk besoj se meriton kaq shumë të komentohet një shkrim i tillë, por meqenëse po e shoh se ka filluar të përflitet edhe në rrjetet sociale këtu ne Kosovë, po e komentoj, duke i dhënë këto sqarime.

Koha.net: Megjithatë, Alex Soros ka qëndruar në Kosovë po edhe në Serbi? Ka pasur takime me përfaqësues të shtetit dhe politikanë në Prishtinë. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai ka ndonjë rol në këtë proces?

Shllaku: Sa i përket ardhjes së zotit Alex Soros në Prishtinë, mund t’ju them se ai na ka vizituar dy herë vitin e kaluar. Ka takuar të gjithë liderët politikë, presidentin, kryeministrin. Ishte shumë i entuziazmuar gjatë takimeve me politikanët e rinj në Kosovë, ata që sot janë në pozita udhëheqëse në partitë politike ku përkasin. Të gjithë njëzëri ia thanë se janë kundër ndarjes apo këmbimit të territorit.

Komenti i tij për këtë takim, që mund të gjendet në faqen e tij në Instagram, ishte se Kosova e ka një brez të ri të politikanëve brilant, që s’e kam parë në vendet e tjera përreth. E tash më thoni, si mund të ndodhë që zoti Soros po i pëlqen ata që njëzëri janë kundër ndarjes? Si mundet zoti Soros të financojë analizat që i mbështet fondacioni i tij në Kosovë, që të gjitha, pa përjashtim, konstatojnë se ndarja është opsion i rrezikshëm.

Koha.net: Për fund – i përmendët analizat që janë prodhuar nga Fondacioni në Kosovë në lidhje me dialogun. Përtej kësaj dhe idesë që të forcohet pozicioni i Kosovës në negociatat me Serbinë, cili është synimi i Fondacionit në Kosovë, por edhe i Sorosit në përgjithësi në rajon?

Shllaku: Po, Fondacioni në Kosovë ishte vazhdimisht i angazhuar këtë vit dhe vitin e kaluar për të forcuar pozitën e palës kosovare për negociatat me Serbinë. Në këtë drejtim, me ndihmën e njohësve të mirë të procesit negociator, nga vendi dhe jashtë, Fondacioni i ka prezantuar gjashtë analiza që kishin për qëllim ta ndihmonin palën kosovare që të kuptojë më mirë se çka ka ndodhur nga viti 2011 e tutje në procesin negociator, si dhe të analizojë sfidat më të shprehura të këtij procesi. Në të njëjtën kohë, Fondacioni ka tentuar të ndërtojë një unitet mes partive politike në Kosovë, si dhe t’i ekspozojë ato para politikës evropiane, me ç’rast i kemi organizuar katër vizita studimore në qendrat evropiane për politikanët e të gjitha partive. Ndërtimi i unitetit në mes partive politike ishte dhe mbetet i vetmi qëllim i fondacionit “Soros” në Kosovë.

Synim i vetëm i fondacioneve “Soros” në rajon dhe i zotit Soros personalisht është që ta ndihmojnë rajonin duke e forcuar shoqërinë civile në të, si dhe të gjitha iniciativat që dalin nga organizata dhe individë kreativë, për ta avancuar nivelin e demokracisë në këto vende. Zoti Soros posaçërisht në Shqipëri dhe Kosovë bëri gjëra që jo patjetër i ka bërë në vende të tjera të botës: në Shqipëri, pas vitit 1990, i ndërtoi afro 240 shkolla dhe u dha jetë këtyre shkollave me një program afatgjatë të mbështetjes së arsimit në Shqipëri. Në Kosovë, pas luftës, nuk pati nevojë për të ndërtuar shkolla, se i bënë donatorë të tjerë, por punoi me zell në ngritjen e institucioneve demokratike në vend, nëpërmjet fondacionit të tij, që punon këtu qe 25 vjet. Ka shumë pak zhvillime pozitive në ndërtim të demokracisë në vend, ku fondacioni “Soros” (KFOS) nuk ka marrë pjesë.

Pra, një qëllim të vetëm e kemi ne si fondacion dhe zoti Soros, babai dhe i biri, që është: të ndihmojmë të gjitha iniciativat e kosovarëve për të ndërtuar një shtet më të drejtë dhe më të begatshëm.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Koha.net

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto