Vendosni fjalën kyçe....

Opozita rikthehet në protestë: Bashkë kundër diktaturës së krimit


Opozita vijon protestat edhe pas votimeve të 30 qershorit, në të cilat mori pjesë vetëm maxhoranca dhe partia e re e Astrit Patozit.

Protesta e radhës do të zhvillohet si zakonisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 20:00.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve  gjatë këtyre ditëve, që në protestën e 8 korrikut të marrin pjesë sëbashku me fëmijët e tyre. Të njëjtën gjë ka bërë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

 “Nesër me #8korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa! Asnjë hap pas! #RamaIk”, shkruan Basha duke nënkuptuar mbajtjen e protestave paqësore siç ishin ato të fundit.

“Ftohen të gjithë ata që ndihen të shtypur e të grabitur nga qeveria e Edi Ramës.  Ftohen të gjithë ata të rinj e të reja që ndjejnë pasiguri e nuk shikojnë asnjë të ardhme këtu në vend, për shkak të qeverisë së Edi Ramës.”, ishin fjalët e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Kjo është protesta e dhjetë kombëtare e opozitës së bashkuar, e cila duket se nuk ndryshon qëndrim lidhur me krijimin e një qeverie tranzitore dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka propozuar zgjedhje të parakohshme në tetor, por nga ana e kryeministrit nuk ka patur ende një reagim lidhur me këtë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *