Vendosni fjalën kyçe....

Info-analizë: Një shpjegim për Zaevin, Sorosin, Moskën dhe Vatikanin


Nga Hashtag.al

Telefonata ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe dy komedianëve rusë, Alexei Stolyarov dhe Vladimir Kuznetsov (lexoje këtu) ka shkaktuar shumë reagime dhe në Tiranë, ku elementë të opozitës apo kundërshtarë politikë të Edi Ramës, janë përpjekur t’i interpretojnë thëniet e Zaevit, si rrëfime të “çiltërta” që bëjnë pis Edi Ramën dhe e shpalosin kryeministrin shqiptar si protagonist të lojës së këmbimit të territoreve në favor të Rusisë dhe Putinit.

Në përpjekje për të shpjeguar se ku i kanë koordinatat secili aktor në këtë histori, do e konceptojmë këtë info-analizë si një triptik.

a) Kush janë dy komedianët rusë dhe çfarë përfaqësojnë.
b) Çfarë di Zaevi dhe çfarë e komplekson Zaevin
c) Disa keqkuptime me Sorosin, Moskën dhe Vatikanin

 

-Komedianët rusë, qëllimi dhe prapavija

Alexei Stolyarov dhe Vladimir Kuznetsov, janë dy trollera, grackë-punues, të specializuar për të sajuar telefonata me liderë ose personalitete të ndryshëm, të cilët janë agresivë në retorikën e tyre ndaj Rusisë.

Dy trollerat rusë krijojnë grackën duke u hequr si personalitete të botës perëndimore dhe i telefonojnë viktimat e tyre, për të shfrytëzuar nga përmbajtja e telefonatës, gafat ose deklaratat anti-ruse të personave që ata telefonojnë.

Duket si punë komedianësh, por nuk është aspak e tillë. Është tepër e kalkuluar dhe dy komedianët janë veç një zgjatim i një strukture propagande që nisi në Rusi në vitin 2002.

Në vitin 2002, teknologu politik i Kremlinit, Vladislav Surkov, i paraqiti Presidentit Vladimir Putin një platformë strategjike mbi nevojën e një propagande në nivel botëror. Ishte një plan për t’i hequr monopolin botëror mediave perëndimore si CNN, ABC, BBC etj.

Projekti i Surkovit ishte i detajuar, disa qindra faqe, ku shpjegohej nevoja doktrinare për ta ndërtuar këtë mega-strukturë propagande, ndërsa detajohej dhe plani i fizibilitetit mbi mënyra se si do të ndërtohej kjo strukturë.

Është interesante të përmendim fjalinë e parë të këtij projekti, e cila niste me frazën:

“Nuk ka pikë rëndësie se çfarë ti thua, nëse argumenti yt nuk thuhet edhe në anglisht, ti je një memec. Askush nuk e  di çfarë ke thënë”

Ishte ky projekt që i dha shkas lindjes së televizionit global ‘Russia Today’, televizion që ekziston që prej vitit 2005. Transmetimi i tij është vetëm në anglisht, në të janë pajtuar disa nga gazetarët më të spikatur amerikanë, ndërsa dhe stafi teknik është thuajse i gjithi amerikan e cilësia e produksionit është tepër  cilësore.

Pra Putini aprovoi planin strategjik të Surkovit, hapi thesin e parave, pajtoi staf tepër profesional amerikan dhe nisi betejën për t’i hequr monopolin global mediave amerikane dhe britanike.

Me lindjen e ‘Russia Today’, ndryshoi loja. Efektet më të mëdha u panë gjatë Pranverës Arabe dhe sidomos gjatë luftës në Siri,  apo dhe në rastin “Snowden” etj.

Por, nëse ‘Russia Today’ ishte bërthama i këtij plani modern propagandistik të Rusisë, epiqendra e botës televizive ruse, plani ishte më i gjerë se kaq: Duhej ndikim dhe në botën e internetit.

Ndikimi është i fokusuar kryesisht në ‘Youtube’ dhe ‘Facebook’ si platforma bazike.

Në ‘Youtube’, ekziston një njësi e quajtur “Russia Insight”, e cila prodhon video tepër cilësore, është e specializuar për “koncentrat doktrine”. Kjo njësi, merr koncentratin e debateve televizive në Rusi, të fjalimeve të akademikëve/shkencëtarëve rusë, të Putinit, të qeveritarëve, i titron në gjuhën angleze dhe i ofron për audiencën perëndimore.

Dora që përzgjedh materialet është tepër e kualifikuar pasi doktrina dhe mesazhi vjen si koncentrat lehtësisht i kuptueshëm dhe sfidues ndaj mesazheve të botës perëndimore.

Russia Insight” është  shndërruar në njësi me ndikim të dorës së parë në botën e internetit.

“Russia Insight” është njësia që trajton në mënyrë profesionale dhe serioze tezat kryesore të Kremlinit, por në botën e internetit rusët kanë krijuar dhe disa njësi të specializuara në diskretitimin e propagandës perëndimore dhe sidomos retorikës anti-ruse.

Bëhet fjalë për njësitë që mbulojnë sarkazmën dhe trollerat/komedianët.

Mbretëresha e këtyre njësive të sarkazmës dhe trollit është  një vajzë e re, e cila mban nofkën Inessa S. (lexo këtu)

Inessa S. arriti ta ngrejë në nivel strategjik modelin propagandistik të sarkazmës në internet, e mbështetur fort me fonde, me ekip të specializuar teknologjik dhe me prapavijë të qartë politike të Kremlinit.

Videot paradoksale/diskretituese kishin efekt drastik  dhe shpërndarjet e tyre në rrjet ishin qindra fish më të mëdha se sa shpërndarjet e  videove klasike informative. Efekt i menjëherëshëm në audiencën perëndimore. Sukses i plotë. Drastik.

Pjesë e njësive që konceptoi dhe ndërtoi Inessa S. janë dhe dy komedianët rusë që u bënë lajm në Shqipëri.

Pra nuk kemi të bëjmë me dy “karagjozë” që i bien numrave të telefonit të politikanëve, por kemi të bëjmë me një prej hallkave të një makinerie globale mediatike, profesionale dhe e sofistikuar.

Dy komedianët janë të specializuar në shpalosjen e paranojës ruse te politikanë të ndryshëm (si Zaevi) që të parë nga këndvështrimi i rusëve, janë dordolecë spekulues të ulur në prehërin e SHBA-ve.

Kjo strategji e Kremlinit për diskretitimin e paranojës ruse ka marrë hov sot. Arsyeja lidhet me vetë-diskretitimin e mediave kryesore amerikane, të cilat për dy vite rresht ndërtuan paranojën e ndërhyrjes së rusëve në zgjedhjet Presidenciale në SHBA, por raporti i prokurorit special Mueller, i nxori blof të gjitha, shkuan pikiatë.

Është e vështirë të gjesh një rast të ngjashëm kur media me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar (CNN, BBC, The Guardian, NYT etj) të asgjesojnë besueshmërinë e tyre brenda ditës, ditën kur u publikua raporti Mueller.

Ky vetë-diskretitim i mediave amerikane/britanike, ishte një avantazh tepër i rëndësishëm që ka shtuar besimin te makineria mediatike e Kremlinit.

 -Zaevi, Putini, Soros, Mogherini

Zoran Zaev është kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Ai erdhi në këtë post, vetëm pasi kundërshtari i tij Nikolla Gruevski u detyrua të largohej nga posti, pas disa tentativave të forta e të përsëritura nga SHBA dhe BE për ta rrëzuar Gruevskin.

Gruevski kaloi vijën e kuqe kur shefi i tij i shërbimeve inteligjente lidhi ujdi me shërbimet inteligjente ruse.

Gruevski ndërmori disa reforma të rëndësishme dhe bëri lëvizje produktive  në sektorin e ekonomisë, ç’ka shtoi popullaritetin e tij dhe mbështetjen në vota, ndaj ishte e vështirë ta rrëzoje.

Por ai kaloi vijën e kuqe, sepse tjetër gjë është të bësh rezistencë ndaj Soros dhe një linje të caktuar amerikane, ama është komplet tjetër histori nëse ti rezistencën e bën për llogari dhe nën udhëzimet e rusëve. Gruevski e kaloi vijën e kuqe, ja prenë biletën, Zoran Zaev erdhi në pushtet.

Për Rusinë, valenca e Zoran Zaev nuk ka asnjë lidhje me Kosovën. Për Rusinë, Zaev është një dordolec i komanduar nga SHBA, që goditi linjën e tyre në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë kontekst duhet kuptuar dhe interesimi i dy komedianëve rusë, ata po përpiqeshin të diskretitonin “kuislingun” e radhës.

Nga ana tjetër, Zaev është kryeministër i Maqedonisë së Veriut, interesohet në radhë të parë për interesin e vendit të tij dhe s’do mend që ai mund të shohë ose të nuhasë interesin rus te çështja e këmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

Kjo është krejt normale, pasi mes Kosovës dhe Serbisë s’do mend që Rusia do mbështesë interesat e shtetit serb. Madje lajm befasues do ishte e kundërta, nëse Rusia do mbetej neutrale ose do mbështeste indirekt interesat e Kosovës.

Rusia e ka të shpallur qëndrimin e saj, është shumë e qartë në koordinatën e saj.

Por ajo që nuk bind te Zaevi, është diçka tjetër.

Ne e dimë shumë mirë që nuk ishte as ndonjë ambasador rus, as Putini shtysat që Thaçi-Rama-Vuçiç të uleshin për të diskutuar këmbimin e territoreve.

Jo në fakt, na rezultojnë të tjerë aktorë dhe të tjera shtysa.

Na rezulton se ishte Alex Soros një ndër faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar që u angazhua drejtpërdrejt në aksin Beograd-Prishtinë-Tiranë që kjo marrëveshje të realizohej.

Na rezulton se Fondacioni Soros në Beograd hartoi në vitin 2018 platformën dhe skenarët për këto këmbime, skenarë që favorizonin hapur shtetin e Serbisë.

Na rezulton se përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka qenë gjithashtu shtysë e fortë në favor të kësaj marrëveshje, bashkë me disa zyrtarë të tjerë të BE-së.

Na rezulton që ishte Angela Merkel ajo që  e dërrmoi mundësinë për një marrëveshje të këmbimit të territoreve.

Në telefonatën me komedianët, Zaevi përmend Rusinë e cila mund të jetë e interesuar, por nuk ka qenë e implikuar direkt në negociata. Përmend dhe Merkelin që i dha fund tentativës për marrëveshje.

Por Zaev nuk guxon të përmendë, aktorë të tjerë, që janë ekspozuar në mënyrë të hapur, të drejtpërdrejtë, si Soros apo Mogherini.

I kujt është Soros? I Rusisë? Mogherini e kujt është? E Rusisë apo e Sorosit? Apo e BE-së?

Po Edi Rama me Thaçin të kujt janë? Të Rusisë?

JO. NUK JANË TË RUSISË.

Por fakti që nuk janë të Rusisë, s’do me thënë që indirekt ata, si pasojë e bindjes dhe vasalitetit që kanë ndaj konjukturave të Soros apo të BE-së, të ishin duke i bërë një nder të madh planit serb, që me gjasë është i mbështetur në distancë dhe në heshtje nga Rusia.

Zaev bën shumë mirë që mendon se pas këtij plani ka interes të fshehtë Rusia, por Rusia nuk është një vend aleat i Shqipërisë dhe Kosovës.

Zonja Mogherini dhe konjuktura Soros presupozohen aleatë dhe në këtë rast ishin të dy të interesuar në mënyrë direkte që këmbimi i territoreve të realizohej.

Kush janë më të rrezikshëm? Rusët që fërkojnë duart në distancë? Apo Alex Soros dhe Mogherini, që i harruan të gjitha punët e tjera dhe bënë çdo gjë që të kishte një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë?

Kush është implikuar dhe kompromentuar direkt në këtë histori? Rusia apo BE-ja? Alex Soros apo Putini?

Në këtë rast Edi Ramën nuk e bën dot pis me Rusinë, sepse Rusia pavarësisht interesit pro serb, ka ruajtur distancën dhe nuk është përfshirë zyrtarisht në procesin e negociatave.

Edi Ramën e ka bërë pis konjuktura Soros dhe konjuktura e Bashkimit Evropian që përfaqësohej nga Mogherini.

Por këtë Zoran Zaev e ka të ndaluar ta thotë, sepse ka dhe ai kufizimet e veta, si ndaj Sorosit ashtu dhe ndaj BE-së. Është i mirëkuptuar.

Hasmi në Moskë apo hasmi në Vatikan?

Ekziston një batare globale mediatike e cila thotë se “kush sulmon Sorosin, i shërben politikës së Putinit”.

Pra, kush sulmon Sorosin dhe sferën e tij të ndikimit është automatikisht nën influencën orthodhokse të Kremlinit.

Ou, vërtetë?

Le të shohim pak faktet dhe jo vetëm retorikën.

Sulmi i botës sllavo-othodhokse ndaj Sorosit nisi me ardhjen në pushtet të Vladimir Putinit në vitin 1999. Interesat koorporative të Soros u goditën, ndërsa u ç’montua brenda 5 vitesh dhe rrjeti i tij akademik, i shpërndarë sidomos në media dhe OJF.

Ky është një fakt i vjetër, e dimë.

Mirëpo ka disa lëvizje të reja që nuk është se thuhen shpesh në media.

Përshembull, dimë që në vitin 2016 në SHBA u zgjodh president Donald Trump, i cili ka një prapavijë të fortë katoliko-kalviniste dhe mbështetjen direkte të disa prej figurave më me peshë të linjës katolike konservatore amerikane.

Pasi erdhi Trump, politikat e tij për sovranitetin, për dekurajimin e emigracionit të paligjshëm dhe për ndërprerjen e axhëndës LGBTQ u përhapën dhe në Evropë, në mënyrë të menjëhershme në dy vatra:

  1. Viktor Orban, i cili u konsiderua menjëherë aleati më efikas i Trumpit në Evropë. (Orban është i pari lider i Evropës Juglindore i pritur nga Trump)
  2. Matteo Salvini në Itali.

Çfarë kanë të përbashkët Orban dhe Salvini?  Prejardhjen sllavo-orthodhokse?

JO. Kanë të përbashkët prejardhjen konservatore katolike. Kalviniste-katolike.

Pra, kjo era e re konservatore që po fryn kundër Soros dhe politikave të tij për emigracionin apo LGBTQ, nuk po duket sikur e ka “hasmin” vetëm në Moskë. Gjasat janë që “hasmi kryesor” të jetë shumë më serioz e shumë më i fortë nga ç’propagandohet.

Mund të jetë në Vatikan? Ka shkaktuar Soros ndonjë problem në Vatikan?

Nuk ka ndonjë gjurmë që lidh direkt, drejtpërdrejt George Sorosin me ndonjë problem në Vatikan, por ka disa gjurmë domëthënëse të aleatëve strategjikë-politikë të Sorosit: Podesta-Clinton.

Wikileaks publikoi në vitin 2016, e-mail-et e John Podestës, ndërsa një e-mail i tij i këmbyer në vitin 2012 me një bashkëpunëtore (shikoje këtu) bëri veçanërisht përshtypje.

Ata flisnin për një “pranverë Katolike“, pikërisht në kohën kur pranvera arabe ishte duke u ekzekutuar. Pra nënkuptohej përmbysje e kastës drejtuese në Vatikan.

Si për koincidencë, një vit më vonë, në vitin 2013, Papa Benedikti (Raitzinger) në mënyrë të befasishme, të paqartë; dha dorëheqjen.

Kishte 7 shekuj që një Papë nuk dorëhiqej.  Pse e dha dorëheqjen Papa Benedikti?

Ajo që dimë, janë tre të dhëna:

a) Në vitet 2010-2012, kur Soros-Clinton intensifikuan fushatën promovuese ndaj LGBTQI, në disa kryeqendra të Evropës (dhe jo vetëm) pati organizime dhe manifestime të fuqishme të nxitura nga linjat e papatit, në mbrojtje të principeve kristiane dhe vlerave të familjes.

Vatikani u shfaq si një kundërshtar i fortë i fushatës pro-LGBTQI.

b) Disa muaj para se të dorëhiqej, Papa Benedikti rezulton se kishte urdhëruar një investigim të brendshëm që kishte në shënjestër tarafet korruptive brenda Vatikanit si dhe identifikimin e një “lobi homoseksual” në papat, ky lob synonte të kapte pushtetin. (lexo këtu dhe këtu).

c) Papa Benedikti u zëvendësua nga Papa Francis, i cili është i mirënjohur për qëndrimet e tij kryesisht liberale, përshembull pro lejimit të emigrantëve të paligjshëm në Evropë. (Lexo këtu)

Në muajin Prill 2019, ‘The Guardian’ publikoi një shkrim interesant, sipas të cilit ish-strategjisti i Presidentit Trump, Steve Bannon, i kishte këshilluar Matteo Salvinit që të konsideronte Papa Francisin si një “armik” sa i takon çështjes së emigracionit të paligjshëm. (lexoje këtu)

Bannon jo vetëm që nuk e mohoi këtë artikull, por e përforcoi këtë qëndrim të vetin në disa intervista të dhëna më pas.

Kjo e dhënë, përforcon idenë se shtysat kryesore të aksit Trump-Salvini-Orban, lidhen me një problem shumë më madhor, nga ç’mund të jetë propaganda dhe influenca ruse.

Për pasojë, dhe kunjuktura Soros, e cila promovon axhendën LGBTQI, shuarjen e kufijve dhe nxit emigracionin e paligjshëm, ka kundërshtarë shumë më serioz brenda aksit perëndimor, konservator-katolik, nga ç’mund të jetë sfera e ndikimit të Putinit dhe Rusisë.

E duke u rikthyer aty ku e nisëm, te Zaevi dhe thëniet e tij për mbështetjen e Rusisë ndaj planit Vuçiç-Thaçi-Rama-Soros, del e qartë se lojëtarët kanë disa valenca. 

Putini dhe Rusia duket sikur e mbështet në distancë Sorosin dhe Ramën kur vjen puna te plani lokal i këmbimeve territoriale në favor të Serbisë, por nga ana tjetër ai është natyrshëm dhe strategjikisht kundër linjës liberale-soros dhe i rreshtuar qartësisht me konservatorët katolikë, kur vjen puna te kauzat themelore të Sorosit që lidhen me kufijtë, emigracionin dhe imponimin e politikave LGBTQI. / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *