Templates by BIGtheme NET

Pse nuk miratohet ligji i përgjegjësisë materiale?

Nga Klodian Tomorri

Fatura e radhës që zyrtarët publikë vunë mbi kurrizin e popullit, ajo e godinës në sheshin Italia, rikthen edhe një herë nevojën urgjente për ligjin e përgjegjësisë materiale.

Prej vitesh Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar miratimin e një ligji, i cili të vendosë përgjegjësinë e zhdëmtimit tek zyrtarët publikë që shkaktojnë kosto për qytetarët përmes vendimarrjes së tyre, sipas modelit që aplikojnë shumica e vendeve të zhvilluara. Fabula është e thjeshtë. Një zyrtar publik, që u shkakton dëme qytetarëve duhet të zhdëmtojë koston.

Por askujt nuk i intereson, që ligji të bëhet. As maxhorancës e madje as edhe opozitës. As kjo e fundit nuk e ka përmendur asnjëherë nevojën për miratimin e këtij ligji, aq më pak të ketë propozuar diçka konkrete. Arsyeja është e qartë. Po të bëjnë ligjin nuk vjedhin dot më.

Shembja e godinës në sheshin Italia, pranë stadiumit kombëtar, është rasti flagrant se si zyrtarët në poste publike, i shkaktojnë kosto direkte qytetarëve përmes vendimeve arbitrare, të cilat mund të jenë pasojë e korrupsionit ose paaftësisë.

Godina është ndërtuar me lejen e kryeministrit Rama, gjatë kohës që ai drejtonte Bashkinë e Tiranës. Por ndërtesa u bë në thyerje të lejës. Sërish ajo që e legalizoi ishte qeveria e drejtuar nga zoti Rama vetëm pak vite më parë. Ndërsa tani godina u shemb nga Bashkia dhe qytetarët do të paguajnë faturën disa milionë euro për zhdëmtimin e pronarëve.

Janë të paktën 3 akte në kundërshtim të pastër me interesin publik. Dhënia e lejës në kundërshtim me ligjin, legalizimi i shkeljes së lejes, po në kundërshtim me ligjin kur dihej që aty kishte projekt publik dhe së treti prishja e ndërtesës.

Në një shtet gjysmë normal sot përmbarimi duhet të kishte bllokuar llogaritë bankare të kryeministrit, shtëpinë ku ai jeton dhe çdo pronë tjetër të luajtshme apo të paluajtshme që zotëron. Në Shqipëri, kryeministri dhe gjithë zyrtarët e tjerë publik, madje edhe ato të niveleve të ulëta, mund të marrin vendime që i shkaktojnë dëme të rënda qytetarëve pa asnjë përgjegjësi.

Vetëm vitet e fundit janë qindra milionë euro dëme. Në fillim ishte CEZ-i plotë 90 milionë euro. Më pas pallati i Ujit të Ftohtë në Vlorë 17 milione euro. Sot po vijnë dy fatura të tjera. Ndërtesa e shembur në sheshin Italia me mbi 4 milionë euro dhe fatura e tmerrshme e Becchettit 110 milionë euro. Mbi 230 milionë euro faturë që paguhet direkt nga populli më i varfër i Europës, për tekat ose korrupsionin e zyrtarëve që e drejtojnë.

Në të katër këto raste, ka patur disa zyrtarë publikë të përfshirë dhe përgjegjës për dëmet. Por vetëm njëri ka qenë tek të katërta. Nuk është e vështirë të merret me mend se kush.

Edhe sa duhet të paguajnë qytetarët për marrëzinë ose babëzinë e zyrtarëve publikë? Prandaj është i nevojshëm miratimi i ligjit për përgjegjesine materiale të zyrtarëve publikë, e madje jo vetëm në aspektin individual, por edhe në rang solidar. Nëse qeveria merr një vendim arbitrar dhe në kundërshtim me ligjin, që shkakton dëm për qytetarët, atëherë duhet të paguajnë të gjithë ministrat.

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*