Vendosni fjalën kyçe....

RTSH transmetoi këngët serbe të Cecës. Reagon AMA: Kujdes me këto gjëra


Autoriteti i Medias Audiovizive, AMA, i ka tërhequr vërejtjen Radio Televizionit Shqiptar lidhur me transmetimin e këngëve të këngëtares serbe, Ceca, duke i kërkuar të bëjë më shumë kujdes në të ardhmen lidhur me materialet që transmeton.

Sipas AMA-s, shkak për këtë është bërë qëndrimi publik i Cecës me zërat antishqiptarë kundër Kosovës.

Pas transmetimit të këngëve, në drejtim të AMA-s, sipas kësaj të fundit, kanë mbërritur shumë ankesa dhe pas vlerësimit të rastit, ky institucion ka vendosur t’i tërheqë vëmendjen RTSH-së duke i bërë thirrje që të tregohet më e kujdesshme në transmetimin e programeve që krijojnë ndjeshmëri negative te ndjekësit e RTSH-së, shkruan ‘Tirananews’.

‘Bazuar në ankesa që i janë drejtuar Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, nga ndjekës të kanalit RTSH 2, për përmbajtjet e transmetuara në fashën orare 18:58 – 19:23, datë 13.07.2019., u bë monitorimi dhe vlerësimi i tyre.

Ankesat në thelb ishin për përfshirjen në prgramin me muzikë në gjuhën e pakicave të asaj dite dhe të këngëtares Svetlana Raznatoviç, njohur me emrin e artit si Ceca. Dihet që kjo këngëtare me të shkuar të trazuar, i është bashkuar disa herë publikisht zërave antishqiptarë për Republikën e Kosovës.

Autoritetit të Medias Audiovizive i janë drejtuar një sërë ankesash lidhur me këtë transmetim, dhe pas vlerësimit të rastit RTSH-së i është tërhequr vëmendja për evitimin e rasteve të tilla që krijojnë ndjeshmëri negative tek ndjekësit e programeve të transmetuesit publik.

Në këngët e deklaratat e saj të hershme Ceca ka qenë frymëzuese e krimeve në Bosnje dhe në Kosovë, ka qenë suport për veprimet çnjerëzor të ish bashkëshortit të saj, kriminelit të luftës, Arkanit, dhe grupeve militare e paramilitare serbe që ka udhëhequr.

Vetëm pak muaj më parë Ceca ishte në një koncert në pjesën veriore të Mitrovicës, në një performancë artistike të kombinuar me mesazhe politike kundër qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Për AMA, programi dhe hapësira për pakicat në RTSH që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave dhe nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën. Ndaj dhe përmes kësaj shkrese, ju tërheqim vëmendjen për evitimin e rasteve të tilla, që krijojnë ndjeshmëri negativiste tek ndjekësit e programeve të transmetuesit publik.’ – thuhet në reagimin zyrtar të AMA-s.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *