Vendosni fjalën kyçe....

‘Serbia dhe Kosova janë dy shtete evropiane’ – Si u censurua Macron në Beograd (Video)


Serbia dhe Kosova janë dy shtete europiane, tha ndër të tjera presidenti francez, Macron, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij serb, Vuçiç, në Beograd.

Kreu i shtetit francez, ishte në Serbi në një vizitë dy-ditore ku ndër të tjera është diskutuar edhe një marrëveshje e mundshme mes Beogradit e Prishtinës, gjë që do ishte kyçe për qëndrueshmërinë e kontinentit, tha Macron gjatë fjalës së tij, duke theksuar se Franca do mbështesë dhe njohë çdo marrëveshje mes palëve.

‘Serbia dhe Kosova janë dy shtete evropiane dhe ne duhet të ndihmojmë që kjo të bëhet më e kompletuar dhe jo t’i mbajmë peng dy popujt që janë fqinjë me idenë që krenaria kombëtare do jetë pengesë për arritjen e kompromisit.’ – tha Macron gjatë konferencës për shtyp.

Kjo pjesë nga fjalimi i Macron, është censuruar nga mediat në Serbi por edhe një pjesë e madhe e mediave në Ballkan e më gjerë, duke u kaluar në heshtje dhe duke mos u cekur fare, ndonëse është një deklaratë thelbësore e qëndrimit të Francës, që është mikpritësja e takimit të radhës mes Serbisë e Kosovës.

Macron theksoi se mundësia për marrëveshje ekziston duke sjellë si shembull Gjermaninë dhe Francën pas Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se duhej një marrëveshje inteligjente dhe për këtë duhej shumë kurajo nga palët.

Ai përsëriti nevojën e heqjes së taksës 100% të vendosur nga Prishtina ndaj mallrave serbe si hapin e parë të rinisjes së dialogut të ndërprerë muaj më parë. /Hashtag.al

VINI RE: Video marrë nga Klan Kosova


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *