Vendosni fjalën kyçe....

Pse Ramës i intereson ende që Teatri të kthehet në një çështje opinionesh


Dy ditët e fundit kryeministri Edi Rama me strategët e ndihmësit e tij ka riaktivizuar të njëjtën skemë të përdorur edhe herë të tjera për të goditur qëndresën e qytetarëve, artistëve, opozitës, Presidencës deri edhe të eksponentëve të njohur të partisë së tij në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Skema është e thjeshtë: Ta kthejmë edhe njëherë, meqë këta s’po shqiten nga teatri, në çështje opinionesh. Duhet apo jo një teatër i ri? Duhet apo jo investuar te arti? Vëmendjen e publikut, duhet ta mbajmë sa më larg fakteve, shkeljes së ligjit dhe grabitjes së pasurisë kombëtare.

Për ta vënë në zbatim, pas citimeve kuturu të shkrimtarëve të mëdhenj, nisi të hedhë si “mish për top” opinionet e disa aktorëve, edhe pse u tentua të anatemohej mbështetja politike që dha opozita, mjafton të kujtojmë që eksponentë të Organizatës Politike nisën sulmin ndaj Lulzim Bashës.

Shkroi për Rajmonda Bulkun:

“Minoranca e zhurmshme dhe e verbër teatralo – politike, nuk përfaqëson asfare opinionin e shumicës së komunitetit të artistëve të skenës, për projektin e Teatrit Kombëtar!

Ja çfarë mendon një aktore e njohur e skenës kombëtare, e cila jo vetëm s’ka asnjë lidhje me këtë shumicë qeverisëse, po ka qenë aktive si qytetare qysh në kohën e ndryshimeve historike dhe më pas edhe si deputete, në radhët e Partisë Demokratike:…” (Në medie qarkulluan lajme se Bulku kishte përgënjeshtruar Ramën, edhe pse nuk është vërtetuar ende)

Shkroi për Drita Haxhiraj:

“Aktorja e njohur Drita Haxhiraj, është ngjitur një jetë të tërë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ajo bën pjesë tek shumica e komunitetit teatror që kërkon ndërtimin e një Teatrit të Ri Kombëtar në vend të kapanonit të ushtrisë italiane, i cili u kthye në teatër gjatë komunizmit dhe mbeti një karakatinë gjithnjë e më jodinjitoze, deri sot e gjithë ditën. Një gërmadhe që vetëm emrin ka teatër, e që as në ditët e veta më të mira nuk e ka lehtësuar, po e ka vështirësuar dhe dëmtuar aktivitetin artistik me kushtet e veta mizerabël, me hapësirat krejt të papërshtatshme për një teatër normal (lëre pastaj KOMBËTAR), me mungesën e mjediseve për aktorët e me radhë.”

Shkroi për Leka Bungon:

“Ja çfarë mendon për çështjen e teatrit një protagonist i njohur i skenës kombëtare, regjizori Leka Bungo – i cili, sa për ta ditur, njësoj si Raimonda Bulku e shumë të tjerë, jo vetëm s’ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste, po përkundrazi.”

Paralel me komentet e tij, u shpërndanë nëpër medie edhe shkrime të tipit “Lista e aktorëve që mbështesin Teatrin e Ri” a “konflikte” Facebook-ore mes artistësh (Një pjesë artistësh nisën t’i përçajnë muaj më parë, Lexo Këtu për më shumë).

Teatri Kombëtar nuk është çështje arti. Është çështje e thyerjes së ligjit dhe e grabitjes së pasurisë kombëtare.

Me gjasë e gjithë kjo strategji po përdoret sa protesta të nisë e të tkurret, që Rama, Veliaj e të besuarit e kryeministrit të hidhen sërish në sulm për të “kafshuar” pasurinë kombëtare siç nisën ta bënin me zbrazjen tinëzare të teatrit, tri ditë më parë.

Por a i ka bërë mirë llogaritë kryeshërbëtori?! Kjo protestë është një nga më të gjatat në vend, me mbi një vit rezistencë. /Valmora Gogo-Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *