Templates by BIGtheme NET

Ambasadoruci

Nga Ergys Mërtiri

Europa Nostra, një institucion europian që mbron trashëgiminë kulturore, është shprehur qartë dhe prerë kundër shembjes së Teatrit, ndërsa një ambasadoruc si Soreca, mundohet të spërdridhet pas fjalëve, për të dhënë një përgjigje as mish e as peshk për këtë çështje. Të gjitha pyetjeve për këtë çështje ai iu përgjigj me të njëjtat fjalë: “Çështja është delikate, është e politizuar dhe duhet parë me kujdes. E rëndësishme është që procedurat e tenderit të bëhen të drejta.”

Që nuk keni turp z. Soreca, këtë e kemi parë që ditën e parë që erdhët në Shqipëri dhe duket se për këtë arsye ju kanë zgjedhur aty, por, mos na shisni pallavra duke investuar në aktivitete kulturore, duke bërë sikur e doni kulturën shqiptare, ndërkohë që heshtni ndaj një prej masakrave kulturore në mes të Tiranës. Ju lutem, mos na shisni perralla, duke investuar koncerte në Theth, kur pak kilometra më tej, një HEC i çmendur po betonizon Valbonën.

Nëse çështja do parë me kujdes, shiheni! Apo nuk keni aftësi të jeni të kujdesshëm, për sa kohë veproni kaq trashë, sa ç’jemi mësuar të të shohim në çdo deklaratë?

Çështja nuk është fare politike z. Soreca. Është, pikë së pari, çështje kulturore dhe çështje e një të drejte elementare për të mbrojtur trashëgiminë tonë. Jeni ju që po bëni politikë dhe më e keqja, po bëni politikë të shëmtuar. Jeni ju që po spërdridheni duke mos iu përgjigjur drejt pyetjeve mbi teatrin, në mënyrë që helli juaj të mos digjet, ndërsa mishi të piqet.

Pikërisht politika juaj e dështuar, është një prej duarve që po e shkatërrojnë këtë vend. I keni hyrë një rruge qorre për të mbrojtur një Kryeministër të zhytur në llucë, më të inkriminuarin që ka pasur ky vend në këto 30 vjet dhe tashmë ju duhet ta mbroni deri në fund, për të dështuar edhe ju bashkë me të, ndonëse ai është gjithmonë një hap larg rrëzimit. Kështu, juve ju duhet tani të paguani kostot duke i thënë të zezës të bardhë e derrit dajë, duke ia mbajtur anën me siklet në çdo skandal që e shoqëron.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto