Një 19-vjeçar ka humbur jetën në ishullin grek të Chios, pasi u zu poshtë nga shtylla e koshit të basketbollit. Mediat greke shkruajnë se i riu dha shpirt pak para mesnatës së të dielës, gjatë një loje basketbolli në shkollën e vogël të Daskalopetra.
Topi i basketbollit goditi shportën dhe më pas e gjithë shtylla u shemb në tokë duke zënë poshtë të riun, i cili mbeti i mbuluar në gjak.
Megjithë përpjekjet e ekipit të mjekëve që u dërguan në vendin e ngjarjes për ndihmën e parë dhe e transportuan të riun për në Spitalin Chios, 19-vjeçari nuk arriti të shpëtonte.
Nga fotot, duket se shtylla e basketbollit ishte fiksuar vetëm me disa inç çimento ose pa çimento (siç shihet në foton më poshtë), gjë që çoi në rrëzimin e saj.
Ngjarja është shoqëruar me debate të forta mbi sigurinë. Policia greke ka arrestuar kryetarin e bashkisë së Chios, Manolis Vournos. Ai po mbahet në komisariat deri kur Prokurori të vendosë nëse do të gjykohet apo lihet i lirë.