Një djalë i vogël është përplasur me një shtyllë ndriçimi, duke vrapuar pas Mohamed Salah. Louis Fowler po mundohej të tërhiqte vëmendjen e sulmuesit të Liverpulit, i cili po dilte nga baza e stërvitjes së klubit të shtunën, kur u përplas me një shtyllë ndriçimi.
Tifozi i vogël ra dhe “goditi hundën”.
Njerku i tij Joe Cooper tregon se mbetën të surprizuar kur Salah shpejt e ktheu makinën për të kontrolluar gjendjen e Louis.
Siç citon “BBC“, Cooper tha se Louis dhe vëllai i tij, të cilët jetojnë pranë bazës stërvitore Melwood, i kishin kaluar pushimet e tyre verore duke u përpjekur për të bërë një fotografi me idhujt e tyre të futbollit. Kjo ishte ëndrra e tyre.
Salah i pyeti djemtë nëse ishin në rregull dhe u dha atyre një përqafim të madh. Sipas njerkut, Louis harroi gjithçka për lëndimin.
Ai madje realizoi dhe ëndrrën e tij, bëri një fotografi me Salah. Sulmuesi shfaqet duke qeshur, ndërsa vogëlushi është i gjakosur dhe me lot në sy.