Armando Gjini, 48-vjeçari që u ekzekutua sot në qendër të qytetit të Rrëshenit nuk ishte një emër i panjohur për policinë.
Më 12 maj të vitit të kaluar, Armando Gjini u arrestua si pjesëtar i grupit të Met Kananit që akuzohej se trafikonte drejt vendeve të BE-së tonelata të tëra droge. Mes personave të arrestuar ne kuader te operacionit “Precizioni” rezultoi te ishte dhe Armando Gjini.
Ndërkohë para tre muajsh, Armando, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini, i kishte shpëtuar një shpërthimi me tritol.
Më 6 maj në automjetin tip “Benz” të Gjinit ishte vendosur rreth 700 gram tritol. Ai ishte duke udhëtuar me djalin, të cilin po e çonte në shkollë kur ka konstatuar lëndën eksplozive. Fatmirësisht ngjarja u shmang, pasi ndërhynë Forcat Speciale dhe antiterrorit që u nisën nga Tirana drejt Rrëshenit për të çaktivizuar tritolin. Nga shpërthimi i komanduar u dëmtua tërësisht makina.
Në atë kohë Gjini pati deklaruar se nuk kishte asnjë problem me njeri e madje se mund të kishin ngatërruar shënjestër.
Por Gjini u ekzekutua sot në qendër të qytetit, një ngjarje që mesa duket ka qenë e paralajmëruar.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka ngritur postblloqe me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Në qytet Rrëshen, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A.Gj. vjeç 48, banues në Rrëshen. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zones me qëllim kapjen e autorit.”, thuhet në njoftimin e policisë.