Templates by BIGtheme NET

Instituti i Shëndetit Publik thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes: Shmangni ekspozimin në diell, lahuni shpesh

 

Në temperatura të larta rritet rreziku i problemeve shëndetësore. Ditët e fundit termometri ka treguar deri në 39 gradë celsius dhe qytetarët po hasin në vështirësi gjatë lëvizjes në diell apo qëndrimit në ambiente të caktuara.

Instituti i Shëndetit Publik ka disa këshilla për qytetarët, në këto ditë të nxehta gushti, ku i bën thirrje që të tregohen të kujdesshëm dhe të evitojnë sa më shumë ekspozimin në diell.

Dushe të shpeshta, pirja e ujit dhe veshja me ngjyra të çelura janë disa nga sugjerimet e ISHP.

“Në mënyrë që të shmangni efektet shëndetësore negative të temperaturave të larta këshillohet:

Të evitohet ekspozimi në diell, sidomos në pikun e temperaturave (nga ora ‪11:00 deri në ‪17:00).

Ambienti në të cilin jetojnë të jetë i freskët dhe i ajrosur mirë, nëpërmjet ajrit të kondicionuar, ventilatorëve ose nebulizatorëve për lagështimin e ajrit.

Të vendosen perde të errëta sidomos në dritaret e ekspozuara ndaj rrezatimit diellor.

Të vendosen termometra për matjen e temperaturës së ambientit ku shpenzojnë më shumë kohë.

Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë. Evitoni pijet shumë të ftohta, ato me gaz, me shumë sheqer dhe aditivë të tjerë.

Të konsumohen vakte ushqimore të shpeshta, në sasi të vogla, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm.

Të vishen me rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku ose linoje.

Për personat që përdorin medikamente, të mos e ndërpresin apo ndryshojnë atë, pa u konsultuar me mjekun përkatës.

Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe pa u tharë me peshqir.”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Kujtojmë se grupet të cilat janë më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta janë: Të moshuarit, foshnjat, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna; Individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si: Sëmundjet kardiovaskulare, Diabeti, thyreotoksikoza, Sëmundja pulmonare obstruktive kronike SPOK, Sëmundje e mendore, Sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, etj.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto