Vendosni fjalën kyçe....

Punonjësit e Aeroportit të Prishtinës hyjnë në grevë 3-ditore


Punonjësit e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, do të futen në grevë në datat 19, 20 dhe 21 gusht.

Sindikata e Aeroportit ‘Adem Jashari’ thotë në një njoftim për mediat se pas shumë përpjekjeve për të dialoguar me drejtuesit rreth kërkesave të tyre, këta të fundit nuk kanë treguar gatishmëri për dialog.

“Ju njoftojmë se pas shumë përpjekjeve dhe  kërkesave të shumta drejtuar menaxhmentit të aeroportit për të dialoguar dhe për t’i zgjidhur çështjet tona në mënyrë paqësore, deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë ftesë apo gatishmëri nga ana e menaxhmentit për të dialoguar.

Ne kemi shterrur të gjitha mënyrat dhe mundësitë paqësore për dialog. Punëtorët janë të vendosur në kërkesat e tyre për çka edhe kanë vendosur përmes delegateve të tyre të shkojnë në grevë, siç kemi paralajmëruar në protestën paqësore të mbajtur javën e kaluar me datën 08.08.2019 se  me datën 19.08.2019 do të kemi grevë një orëshe duke filluar prej orës 08.00 deri në orën 09.00 sipas kohës lokale dhe me datë 20.08.2019 grevë dy orëshe duke filluar prej orës 08.00 deri në orën 10.00 si dhe me datën 21 do mbajmë grevë gjithëditore”, thuhet në njoftim.

Në grevë do të marrin pjesë të gjithë punëtorët e shërbimeve që nuk janë të rëndësisë jetike. Në mediat në Kosovë thuhet se sindikalistët e aeroportit kanë ftuar  menaxhmentin që të koordinohet me sindikatën për të caktuar minimumin e shërbimeve, në mënyrë që të garantohet siguria dhe të evitohet çfarëdo lloj rreziku i jetës dhe i sigurisë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *