Vendosni fjalën kyçe....

18 plumba tronditin Prishtinën, qëllohet një person sapo del nga berberi


18 plumba janë shkrepur dje në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë, e cila të çon në Gërmi. Mediat në Kosovë shkruajnë se target ishte Ruzhdi Ramadani, i cili sapo kishte dalë nga berberi në momentin kur krisin të shtënat.

Të shtënat vinin nga një automjet i tipit “Peguo” dhe një tjetër i tipit “BMW X5”, këtë të fundit dyshohet se po e drejtonte Fatmir Muji, brenda së cilës ndodhej Imer Ahmeti dhe një person tjetër.

Pasi policia e ka telefonuar, Muji është paraqitur në stacionin policor dhe automjeti i marrë me qera e tipit “BMW X5” është konfiskuar. Policia u ka shkuar në shtëpi edhe dy të dyshuarve tjerë por të njejtit nuk kanë qenë prezent.

“Dje rreth orës 13:00, kemi marrë informatën se në rrugën “Nazim Gafurri” të Prishtinës, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Policia me të marrë informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e bërë ekzaminimin e vendit ku kishte ndodhur rasti.

Bazuar në të dhënat e para dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri midis dy grupeve, të cilët kishin vazhduar të shtënat edhe pasi ishin futur në veturat e tyre, me të cilat kanë lëvizur në rrugën e sipërpërmendur.

Në kuadër të veprimeve të saj, policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të të dyshuarve të mundshëm si edhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, ka njoftuar policia e Kosovës.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në mesditë, ku dyshimi fillestar është se Ruzhdi Ramadani ishte tentuar të vritet nga një person. Sipas dëshmitarit, Ali Preniqi, që ishte duke ia prerë flokët klientit me emrin Ruzhdi Ramadani, një person kishte ardhur dhe e kishte gjuajtur me armë zjarri.

Ramadani nga vetura e tij si dhe grupi tjetër nga vetura ‘X5’, kanë shtënë me armë zjarri 18 herë. Policia e Kosovës, ndonëse nuk i ka konfirmuar këto detaje, ka gjetur 18 gëzhoja në vendin e ngjarjes.

Sipas “Indeksonline” Ahmeti dhe Ramadani janë persona me dosje të rënda kriminale. 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *