Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Rama e Basha donin konfrontim, s’mund të prisja të kishte gjakderdhje dhe të vdisnin qytetarë


Në Komisionin e drejtuar nga Ulsi Manja, presidenti i vendit Ilir Meta po jep sqarime lidhur me vendimin e tij për të shtyrë datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Presidenti tha se para marrjes së këtij vendimi ka bërë disa herë përpjekje për të ulur kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha në tryezë.

Por asnjëri prej tyre nuk kishte pranuar pasi të dy kërkonin konfrontim. Meta tha se s’mund të priste që të kishte gjakderdhje për shkak të tensionimit të situatës dhe ndonjë qytetar të humbte jetën.

“Kush tha se zgjedhjet e reja vendore nuk do të mbaheshin në korrik? Qëllimi im ishte të vendosja datën më të shpejtë. E kam shprehur publikisht edhe më parë. Në shumicën e bashkive të vendit, kishte vetëm një kandidat dhe kandidatët për këshillin bashkiak vinin nga vetëm një parti.

Partive të opozitës u duhej dhënë një mundësi, të reflektonin. Nëse kjo s’do ndodhte dhe prap opozita nuk merrte pjesë në zgjedhje, kandidatë të tjerë të pavarur apo të një opozite tjetër do kishin mundësi të garonin.

Kështu që besoj se edhe kjo çështje duhet të jetë shumë e qartë. Përpjekjet e mia kanë qenë të vazhdueshme. Mund t’i reflektoheni edhe raportit paraprak të OSBE-ODIHR-it.

Ju me të drejtë pyesni nëse bëri përpjekje presidenti më parë. E para ishte kokëfortësia e kryeministrit Edi Rama për të mos mbajtur zgjedhjet një datë tjetër, e dyta ishte kokëfortësia e kryetarit të PD-së për të mos u ulur në tryezë me Edi Ramën si kryeministër.

Kryeministri thoshte se opozita ishte e larguar nga Kuvendi, për çfarë do të ulej në dialog? Për mua ishte e papranueshme dhe kushti i opozitës që nuk pranonte të ulej në tryezë me kryemininstrin.

Pas deklaratës së Bundestagut gjerman, që bënte thirrje për dialog dhe për realizimin e zgjedhjeve qoftë edhe në një moment të dytë, ditën tjetër kam bërë një deklaratë për të përshendetur thirrjen e tyre për dialog. Kam bërë të qartë se isha i gatshëm të garantoja një datë tjetër pas dakordësimit të palëve, kjo gjë nuk ndodhi deri në datën 8 qershor kur bëra njoftimin se do detyrohesha të shtyja datën e zgjedhjeve.

Pas këtij akti të datës 10 qershor, pavarësisht se retorikat mes palëve kanë qenë të ashpra, keni parë se nuk ka patur më ngjarje të shoqëruara me akte vandalizmi siç kanë qenë protestat para datës 8 qershor. Besoj se ju dhashë një përgjigje. Kjo nuk është hera e parë që ndodh në vendin tonë që një president shtyn zgjedhjet. Kjo ka ndodhur 5 herë, jo në situata normale. Sepse përpara se ta bëja njoftimin sigurisht që jam konsultuar.

Çfarë mund të bënte presidenti kur dy palët kërkonin konfrontim që mund të shkonte edhe në gjakderdhje?! Mos harrojmë se një police humbi gishtin.

Presidenti nuk mund të priste të humbiste jetën një qytetar për ç’tensionimin e situatës, kur do ishte tepër vonë. Asnjë nga palët nuk do të mbante përgjegjësi. Kjo do ta përshkallëzonte akoma më tepër atë krizë, e cila vetëm në interes të Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajonin tonë nuk mund të ishte.”, tha Meta./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *