Vendosni fjalën kyçe....

Meta sqaron para Komisionit: Informacioni sekret që mora me datë 7 qershor, shkaku pse shtyva zgjedhjet


Presidenti i vendit Ilir Meta, në Komisionin Hetimor të drejtuar nga Ulsi Manja, ka dhënë argumentet e tij se pse vendosi të shtynte zgjedhjet e 30 qershorit.

Fillimisht Meta dha arsyet e tij ligjore. Ai sqaroi se kërkonte të shmangej mbajtja e zgjedhjeve me një kandidat të vetëm, një e drejtë kjo që është shprehur në raste të mëparshme dhe nga Gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg.

Ai solli në vëmendje rastin bullgar, ku për shkak se në zgjedhje kishte vetëm një kandidat, ky shtet ishte dënuar me gjobë.

“Gjykova tepër të arsyeshme dhe të domosdoshme që të jem këtu, sepse kam bindje të plotë që çdo politikan, aq më tepër kryetari i shtetit duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve dhe të japë shembullin e bashkëpunimit por së dyti e jam i bindur që pavarësisht se Kuvendi e ka bërë gjykimin para e të nisë hetimin, përmes rezolutës, në interes edhe të transparencës edhe të ndriçimit të çështjeve që kanë të bëjnë me vendimmarrjen për të dhënë të dhëna të tjera që mendoj se u shërbejnë të gjithëve për t’u qartësuar më shumë”, tha Meta.

“Shqipëria ka detyrime sepse ka marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit, në rast se dëshiron të ecë përpara përsa i takon procesit të Integrimit Europian. Kjo marrëveshje që është në fuqi mes Shqipërisë dhe BE-së e bën të qartë.

Një nga arsyet pse mandati i presidentit zgjat 5 vjet dhe i kryeministrit  4 vjet, është pikërisht që të garantojë vazhdimësinë e detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë. Këto ishin sipas vlerësimit tim.

Në themel të kësaj kushtetute është pluralizmi politik dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çdo lloj afati është sekondar ndërsa parësore është mbrojtja e të drejtës për zgjedhje.

Askush nuk mund ta sqaronte më mirë se Gjykata e Strasburgut këtë.”, shtoi Meta.

Por presidenti shtoi se shkak ishte bërë dhe një informacion sekret që kishte marrë më datë 7 qershor, që kishte organizime që më datë 8 gjatë protestës së opozitës të digjej Kuvendi.

“Përsa i takon aspekteve të tjera nga është nisur presidenti i Republikës, një arsye themelore është siguria publike, siguria kombëtare, stabiliteti i vendit. Nuk dua të kthehem pas disa muaj më parë por mund t’ju them se presidenti ka patur informacione të mjaftueshme si në rrugë zyrtare dhe shtetërore, për përpjekjet për të organizuar akte destabilizimi në vend.

Në mënyrë të veçantë në datën 7 qershor, një ditë para se presidenti të bënte paralajmërimin e tij për shfuqizimin e datës 30 ka marrë një informacion sekret dhe të klasifikuar. Nëse Komisioni do të njihet me këtë, kjo mund të ndodhë, pasi institucioni përkatës ta konfirmojë këtë.

Ky informacion bënte të qartë se persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e opozitës më datë 8 qershor për djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Informacioni ishte tërësisht i besueshëm, po të keni parasysh protestat dhe pasojat nga këto protesta ku pati shumë policë dhe qytetarë të plagosur.

Presidenti nuk mund të lejonte apo të mos shmangte një ngjarje e cila mund të prodhonte jo vetëm dhunë e plagosje por edhe pasoja për jetën e qytetarëve, përveçse një shkatërrim të imazhit të vendit tonë, i cili ishte dëmtuar. Sëbashku me ekipin tim të sigurisë kombëtare, nga ky informacion sekret dhe nga të gjitha burimet e tjera që kemi patur, gjykuam se ishte momenti i duhur për të paranduar një ngjarje që mund të sillte pasoja të mëdha.”, shtoi Meta. /Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *