Templates by BIGtheme NET

Ambasadori amerikan kritikon listat partiake në Kosovë: Po kandidaojnë shkelësit e ligjit

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, kritikoi të premten partitë politike për përfshirjen në listat e kandidatëve për deputetë të parlamentit të Kosovës të personave që kanë problem me ligjin.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasadori Kosnett shtron pikëpyetjen se “si mund ta marrin seriozisht qytetarët përkushtimin e shprehur të partive politike për sundim të ligjit në Kosovë, kur në listat e shumë partive ka individë me aktakuza në fuqi, me dënime për shkelje sikurse janë krimet e luftës dhe sulmet si dhe me sanksione ndërkombëtare për krime të luftës dhe korrupsion?”

Njëzetepesë subjekte politike të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë kanë hartuar listat me mbi një mijë kandidatë që do të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e parlamentit 120 vendesh. Një pas tjetrës këto subjekte janë zotuar për përzgjedhjen e kandidatëve që siç thuhet, do të qeverisin në të ardhmen më duar të pastra.

Por, organizatat e shoqërisë civile thonë se partitë politike kanë përfshirë në listat e kandidatëve persona që kanë probleme me ligjin. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, 26 kandidatë për deputetë kanë aktakuza ose tashmë janë të dënuar për vepra të ndryshme, kryesisht për korrupsion.

Sundimi i ligjit dhe negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë janë sfidat kryesore që e presin pushtetin e ri që do të dalë nga zgjedhjet e reja.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto