Vendosni fjalën kyçe....

Matteo Renzi largohet nga PD për të krijuar partinë e tij, “merr me vete” dhe 30 parlamentarë


Ish-kryeministri Matteo Renzi ka braktisur Partinë Demokratike të qendrës së majtë për të formuar partinë e tij, duke destabilizuar koalicionin e vjetër qeverisës.

Kjo lëvizje e Renzit vjen menjëherë pas betimit të qeverisë së re italiane me kryeministër Giuseppe Conte. Një javë pasi koalicioni i PD-së me Lëvizjen Pesë Yje fitoi një mocion besimi në parlament, Renzi shkruan: “Unë kam vendosur të largohem nga PD dhe të ndërtoj së bashku me të tjerët një shtëpi të re për të bërë politikë ndryshe”.

Renzi nuk është vetë pjesë e qeverisë së re, e cila u krijua pas mosmarrëveshjeve me liderin e ekstremit të djathtë, ish-ministrin e brendshëm Matteo Salvini. Ky i fundit bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme të cilat sipas tij do ta bënin kryeministër, por kjo gjë nuk ndodhi dhe kryeministër u bë Giuseppe Conte.

Renzi, i cili u përshëndet si një reformator kur u bë kryeministri më i ri i Italisë në moshën 39 vjeçare në vitin 2014, është konsideruar vazhdimisht si një figurë përçarëse brenda PD-së.

Pas shtatë vitesh konflikt mes anëtarësh, unë mendoj se duhet të kemi parasysh që vlerat tona, idetë tona, ëndrrat tona, nuk mund të jenë çdo ditë objekt grindjesh të brendshme. Fitorja që morëm në parlament kundër populizmit dhe Salvinit ishte e rëndësishme për të shpëtuar Italinë, por nuk është e mjaftueshme”, shkroi Renzi.

Mediat italiane shkruajnë se rreth 30 ligjvënës mund të deklarojnë besnikërinë e tyre ndaj Renzi, por ai tha se do të vazhdojë të mbështesë Qeverinë e Kryeministrit, Giuseppe Conte.

Sipas La Repubblica, janë rreth njëzet deputetë dhe rreth 10 senatorë që duan të bashkohen në partinë e re të Renzit, por ata do të vazhdojnë të jenë pjesë e maxhorancës dhe të mbështesin qeverinë e Contes.

“Kam vendosur të lë PD-në dhe të ndërtoj bashkë me të tjerët një shtëpi të re për të bërë politikë në një mënyrë tjetër. Pas shtatë vjetësh nën goditjet që vijnë nga miqtë mendoj se duhet ndërmarrë një veprim në mënyrë që vlerat tona, idetë tona e ëndrrat tona të mos jenë çdo ditë objekt i grindjeve të brendshme. Fitorja që arritëm në parlament kundër populizmit të Salvinit ishte e rëndësishme për të shpëtuar Italinë por kjo nuk mjafton. Tani bëhet fjalë për të ndërtuar një shtëpi të re, inovative, feministe, ku do dalin ide e propozime për Italinë dhe Europën tonë. Ka hapësirë pafund për politikë të ndryshme. Për një politike të gjallë, të bërë me pasion e pjesëmarrje. Kjo hapësirë pret veç përfshirjen tonë. Ua lë polemikat e teoritë konspirative atyre që janë në pallatet e pushtetit. Unë u buzëqesh të gjithëve dhe u uroj rikthim të mbarë të gjithë atyre që do rihyjnë në PD. Dhe u uroj fat atyre që do qëndrojnë. Për mua ka një rrugë të re për t’u përshkuar. Do e mbajnë çantë mbi kurriz, hap pas hapi. Politika kërkon propozime e guxim, jo vetëm lojëra. Ne jemi për këtë. Ofrojmë entuziazmin tonë kujtdo që do na japë një dorë. Ofrojmë respektin tonë kujtdo që do na kritikojë. Por mbi të gjitha ofrojmë ide dhe ëndrra për Italinë e së nesërmes. Shihemi te Leopolda.” – shkruan Renzi në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *