Vendosni fjalën kyçe....

Hipokrizia e “investigimit” të pedagogut


Nga Klodian Tomorri

Të qeshim me ne dhe të qajme për ne.

Ajo studentja e Elbasanit ishte në prag të vendosjes së një rekordi të pathyeshëm botëror dje.

Do merrte 27 provime për një javë dhe këtë nuk e bënte dot as Stephen Hawkingu i ndjerë, mendja më brilante e njerëzimit në 50 vitet e fundit.

Por Elbasani është vendi i mrekullirave. Kjo është pjesa së pse duhet të qeshim me veten tonë.

Tani pjesa serioze, ajo e qarjes. Ne jemi bërë një shoqëri hipokritesh, që gënjejmë veten. Ajo tutkunja, që dje doli heroinë gënjen veten se shkollohet. Prindërit e saj, të cilët e kanë regjistruar vajzën në Universitet për një vit, por nuk shqetësohen se ajo nuk shkon asnjë ditë në shkollë, gënjejnë veten se janë prindër.

Pedagogu me gjerdan floriri si tregtar rrobash të përdorura, gënjen veten se është doktor shkencash.

Dhe kështu me radhë, të gjithë ne kemi ndërtuar një shoqëri të rreme, ku të gjithë gënjejnë të gjithë, dhe te gjithë gënjejnë veten. Ky eshte kulmi i hipokrizisë.

Kur shpërtheu greva patetike e studentëve që kërkonin arsim universal falas, pjesa më e madhe e shoqërisë sonë hipokrite u solidarizua. Ja ky është rezultati i arsimit falas.

Ne i taksojmë bukën e gojës fukarait sot për të subvencionuar shkollën e tutkunëve dhe tutkunëve që regjistrohen në Universitet dhe pasi nuk shkojnë as një ditë në auditor, pasi nuk kanë hapur asnjë faqe libri në jetën e tyre, duan të marrin 25 provime për një javë.

Arsimi i lartë duhet të jetë me çmim tregu. Vetëm kjo i eliminon palaçot që nuk kanë me se shtyjnë ditën dhe regjistrohen në Universitet.

Dhe pjesa më tragjike e kësaj është se nesër, ajo studentja dhe shumë të tjerë si ajo, do jetë mesuese që do mesojë fëmijët e nesërm, do jetë drejtoreshë në administratë e madje mund të jetë edhe deputetë në Kuvend.

Kjo pështirësi duhet definancuar urgjentisht. Ne duhet të subvencionojmë arsimin vetëm për studentët e varfër, por edhe këtyre me kushte, përkundrejt rezultateve.

Në të kundërt do vazhdojmë të taksojmë fukarenjtë dhe të pamundurit për të mbajtur në këmbë bordellot universitare. Do financojmë makinat e shtrenjta dhe varëset e florinjta të pedagogëve bishtpëllumba, dhe shkollimin e tutkunëve dhe tutkuneve analfabetë. Ky është krim.

Përkundrejt definancimit, është emergjente shkallëzimi i institucioneve universitare. Ndoshta jam gabim, por unë nuk besoj se në Universitetin e Tiranës mund të marrësh 25 provime në një javë pa shkuar asnjë ditë në mësim.

Prandaj nuk mund të jetë njësoj Universiteti i Tiranës me atë të Elbasanit. Këtu ka nevojë për hallkë te ndërmjetme mes universitetit dhe shkollës së mesme. Këto universitetet si Elbasani të jenë në gradë mbi shkollën e mesme, por kurrsesi universitete.

Ky palaçollëk i pështirë duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *