Templates by BIGtheme NET

Ndërpritet seanca, Gjykata-Tahirit: Provat që solle nuk gjenden në dosje

Është ndërprerë për disa minuta seanca që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, i cili akuzohet për lidhje në trafikun e drogës me grupin e Habilajve.

Sipas Gjykatës, disa nga provat e përmendura në seancën e kaluar nga Tahiri mungonin në dosjen e ish-ministrit. Më konkretisht bëhet fjalë për emailin dërguar prokurorit Dritan Prençi, shkresat e dërguara në drejtim të ish Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe regjistri i hyrje daljeve në Ministrinë e Brendshme.

Tahiri tha se asnjërën prej tyre nuk e ka depozituar për provë, por e ka parë të arsyeshme që ti përmendte pasi ato tregojnë për personalitetin e tij.

Një ndër provat që përmendi dje Tahiri dhe avokati i tij Haxhia, është një e-mail i Gjergji Kohilës, zyrtar të Policisë së Vlorës, dërguar prokurorit Dritan Prençi  për Mojsi Habilajn.

Ky është i njëjti prokuror që sot kërkoi 12 vite burg për Tahirin që me gjykim të shkurtuar nëse do dënohet konvertohen në 8 vite. Prokurori nuk ka bërë asnjë hap dhe e ka referuar çështjen shumë muaj më vonë.

Shkresa e ish-drejtorit të Vlorës, Jaed Çelës që i kërkon policisë së Selnicës të asgjësojë parcelat me kanabis në pronësi të vëllezërve Habilaj mban datën qershor 2016, ndërsa e-maili i Kohilës, 29 prill 2017. Këto data, janë para kohës kur Mojsi Habilaj të arrestohej.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*