Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Amerikane asnjë reagim pas dënimit të një ish-ministri shqiptar


Ditën e djeshme gjykata e dënoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri me 3 vjet shërbim provë, por një ditë pas Ambasada Amerikane në vendin tonë nuk ka bërë asnjë reagim.

Edhe pse konsulltata amerikane mbahet ndër ithtarët e Reformës në Drejtësi në vend, nuk e ka gjykuar të nevojshme të bëjë një reagim lidhur me dënimin e ish-ministrit.

Por ama në faqen zyrtare në “Facebook”, kjo ambasadë e ka gjetur kohën të bëjë postime lidhur me maratonën e vrapit që mbahet nesër pranë Liqenit Artificial në kryeqytet.

Ndryshe nga pala amerikane që s’ka bërë asnjë koment, ambasadori i Bashkimit Luigi Soreca është përgjigjur shumë shkurt para mediave.

“Si një ish-prokuror kam nevojë që ta shoh të plotë vendimin e gjykatës në mënyrë që të jap një vendim”, vetëm kaq tha Soreca, pasi u pyet nga gazetarët lidhur me vendimin e Gjykatës për Saimir Tahirin.

Soreca duket se nuk i ka gjetur dot fjalët për të përshkruar procesin gjyqësor ndaj Tahirit.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të qëndrojë tre vjet në shërbim provë, sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Me vendimin e djeshëm Saimir Tahiri bëhet ministri i dytë që dënohet, por jo me burg, që pas rënies së diktaturës. I pari ish-ministër që u dënua ishte spiro Ksera në vitin 2016.

Tahiri akuzohej për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Mirëpo gjykata e shpalli ish-ministrin Tahiri të pafajshëm për dy akuzat e fundit dhe fajtor vetëm për njërën akuzë, atë për “korrupsion”.
Gjykata e dënoi atë me 5 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit, duke e reduktuar atë në 3 vjet e katër muaj burg.

Por përsëri Tahiri nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit të tij me burg, duke e lënë në shërbimin e provës për një periudhë 3-vjeçare./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *