Templates by BIGtheme NET

Alibeaj: Drejtësia me dy standarte, Tahiri zbatoi planin e Ramës për kanabizimin e vendit

Vijojnë komentet e reagimet nga opozita, lidhur me dënimin me 3 vjet shërbim prove, ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se Saimir Tahiri ka qenë njeriu që zbatoi planin e kryeministrit Rama për të kanabizuar vendin. Për këtë arsye sipas tij,  për sa kohë do jetë Rama kryeministër do kemi një drejtësi me dy standarde.

Alibeaj kujtoi rastin e një të riu në Lushnjë, u cili u arrestua për një cigare hashash në natën e Krishtlindjeve dhe vrau veten në qeli. Ndërsa Tahiri i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar të tonelatave me drogë, lihet i lirë.

“Saimir Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg. Njeriu që zbatoi planin e Edi Ramës për të kanabizuar Shqipërinë në funksion të blerjes së pushtetit me paratë e drogës, nuk ndëshkohet nga drejtësia, sepse me Edi Ramën në krye të qeverisë, drejtësia ka dy standarde: Saimir Tahiri në liri, duke shijuar pushtetin, paratë dhe luksin, ndërsa shqiptarët e zakonshëm në burg, ku humbin jetën për asgjë.

Estref Halili, një 22 vjeçar nga Kolonja e Lushnjës u burgos për një cigare hashash ditën e Krishtlindjes dhe vrau veten në qelinë e burgut, ndërsa Saimir Tahiri nuk ka për të bërë as edhe një ditë burg, sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës. Qamil Zela kryefamiljari 52 vjeçar që mezi ushqente familjen e tij, vrau veten në burg se nuk kishte 35 mijë lekë për të paguar energjinë elektrike.

17 kuksianë u mbajtën në burg më shumë se 1 vit, sepse protestuan kundër korrupsionit të Edi Ramës, që u vuri traun me 5 euro për të shkuar në shtëpi. Ky është shteti me dy standarde që ka ndërtuar Edi Rama. Liri për bashkëpunëtorët e tij në krim, burg për shqiptarët e zakonshëm dhe të pambrojtur. Me Edi Ramën nuk ka drejtësi të barabartë për të gjithë. Ai do të vazhdojë ta vendosë drejtësinë në shërbim të politikanëve të korruptuar e të lidhur me krimin, si Saimir Tahiri, në shërbim të trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar, që i siguron mbajtjen e pushtetit me zgjedhje të vjedhura. Shërbimi më i madh për drejtësinë dhe për vendin është ndarja e politikës nga krimi. Aty është burimi i të gjitha të këqijave. Pa prerë lidhjet e politikës me krimin, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi të vërtetë, më të pamundurit do të vuajnë burgjeve, ndërsa të pushtetshmit si Edi Rama dhe Saimir Tahiri, do të vazhdojnë të jetojnë në luks pa u ndëshkuar!”, tha Alibeaj.

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*