Templates by BIGtheme NET

Komenti i Ramës në TCH për dënimin e Tahirit: Unë nuk komentoj

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë, lidhur me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili u dënua me 3 vjet shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Rama thotë se nuk ka asnjë koment për të bërë, pasi procesi vazhdon. Si Tahiri ashtu dhe Prokuroria kanë deklaruar se do e çojnë çështjen në Apel.

“Është një çështje e drejtësisë dhe unë s’kam komentuar e as komentoj dhe s’kam gjë për të thënë. Kjo është një çështje e drejtësisë dhe unë s’kam asgjë për të thënë sepse procesi vazhdon.

Nuk kam asnjë koment për të bërë sepse është një çështje e drejtësisë. Nga dita e parë deri në ditën e fundit kam qenë dhe mbetem i idesë se çdo përgjegjësi në raport me ligjin e kujtdo qoftë është personale, ndërkohë që përgjegjësia e forcës politike apo e Qeverisë është mënyra se si reagon ndaj cilitdo që ka një problem me ligjin. Në këtë aspekt besoj se jemi një shembull i pakonkurrueshëm në historinë e këtyre 30 viteve.”, tha Rama për Top Channel.

Ish-ministri Tahiri në konferencën e sotme për mediat, tha se ishte dekurajuar nga ambasada Amerikane dhe ajo Britanike në vendin tonë, që kishin reaguar në një kohë kur ende nuk ka vendim të zbardhur të gjykatës.

“Sa i takon deklaratave të ambasadave, ishin dekujaruese dhe për mua që i dëgjova. E theksoj, në kulturën time nuk flitet për një vendim gjykate, për më tepër nuk flitet për një vendim gjykate që nuk është zbardhur akoma.

“Nuk është në kulturën time të flas për vendimin e gjykatave, nuk besoj se ndodh në Amerikë që një ambasadë që flet për vendimin e gjykatave dhe nuk besoj të ketë presion më të madh ndaj gjykatave sesa kjo”, tha Tahiri.

Po ashtu ai zbuloi sot para gazetarëve, se kryeministri Edi Rama, nuk i kishte shkruar as edhe një mesazh lidhur me vendimin e gjykatës./Hashtag.al

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*