Templates by BIGtheme NET

Kurti takon ambasadorin amerikan, çfarë u diskutua mes tyre

Lideri i Vetëvendosjes, Kurti, është takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Kosnett.

Takimi është njoftuar nga zyra për shtypin e Vetëvendosjes ku bëhet me dije se çfarë është diskutuar gjatë tij.

Sipas njoftimit, Kosnett ka kërkuar përparimin e luftës kundër korrupsionit si dhe nisjen e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

“Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftim.

Më tej në deklaratën për shtyp thuhet se Kurti e ka siguruar Kosnett se do jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës duke nisur me serbët.

Kurti ka theksuar se do nisë dialogun me serbët për të vijuar me atë me Serbinë që duhet të jetë me parime të qarta.

“Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë. Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lart për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z. Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.”, mbyllet deklarata.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*