Templates by BIGtheme NET

Pse e komplekson opozitën shqiptare fitorja e Albinit?

Alias Autor: Johannes Estrada

E djathta shqiptare ka nevojë të frikshme dhe të menjëhershmë të krijojë një fjalor dhe set idesh që i përgjigjen problemeve të kohës, e të ndahet nga etiketimet e pavlera të së shkuarës.

Janë jo pak “të djathtë” që janë frikësuar nga zhvillimet në Kosovë nën supozimin se aty kanë fituar “komunistat” apo “marksistat”. Në fakt, ajo që ka ndodhur në Kosovë duhet të ishte burim frymëzimi për ta.

Së pari, Kosova as nuk ishte e as nuk do kthehet në një diktaturë enveriane.

Prona private do respektohet, liritë demokratike jo vetëm nuk i cënon kush por sapo u forcuan, shteti nuk po kthehet në një burg të izoluar nga bota.

Këto karakteristika të regjimist komunist në Shqipëri, në Kosovë nuk kanë as shansin më të vogël të zbatohen.

Përdorimi i epiteteve “komuniste” për dy qeverisje kaq të ndryshme vetëm sa justifikon krimet e ndodhura në Shqipëri si një keqkuptim ideologjik.

Po aq sa kanë lidhje komunistët e Chavezit me social-demokratët e Norvegjisë, po aq kanë lidhje regjimi i Enverit me situatën politike sot në Kosovë.

Së dyti, partia tradicionale e djathtë e Kosovës është një bashkë-fituese e zgjedhjeve falë një fytyre të re, moderne, e dalë nga një proces më demokratik seç ka mundur të krijojë e djathta shqiptare.

Në fakt, megjithë insistimin Isa Mustafës për ti ngjarë liderëve autoritarë shqiptarë, LDK-ja ka nxjerrë në këto 20 vjet vazhdimisht fytyra e lidera të rinj duke shfaqur demokracinë që duhet të frymëzojë partitë e djathta të bazuara mbi lirinë dhe konkurencën.

Së treti, dhe më e rëndësishmja, kosovarët kanë votuar të dielën për të liruar politikën dhe ekonominë e tyre nga monopoli që kishin ish-gjeneralët e luftës. Kanë votuar për një sistem më të hapur, më konkurues, ku meritat personale dhe jo lidhjet farefisnore janë burimi i zhvillimit të gjithëkujt.

Këtë nuk e kanë bërë në një revolucion bolshevik, jo nga gryka e pushkës, as me idetë idiote të “political correctness”, por në një proces demokratik që i ngjason në çdo detaj demokracive të zhvilluara.

Një proces ky që ka nxjerrë një qeveri të balancuar, të kontrolluar, ku ekseset e dy krahëve do frenohen kollaj nga partnerja në qeveri dhe nga një opozitë fuqishme. E kjo, nuk ka se si të mos jetë frymëzim për dikë që beson në idetë e djathta të kontrollit dhe balancimit të pushtetit.

Brengat për një proces de-komunistizimi që në Shqipëri nuk u krye kurrë janë të kuptueshme. Por lufta ende dhe sot ndaj rrezikut “komunist” që nuk është askund po e kthen diskursin e të djathtës në luftë me mullinjtë e erës.

Ndërkohë shqiptarët në të dy anët e kufirit kërkojnë qeverisje që forcojnë liritë e të drejtat e tyre, krijojnë mundësi për konkurencë ekonomike dhe politike, dhe u sigurojnë brezave një të ardhme evropiane në tokën e tyre.

Kosova sapo e tregoi se di ta bëjë këtë. Shqipëria ende nuk di se nga duhet të fillojë…

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*