Templates by BIGtheme NET

Qeverinë e kap epidemia e leshit

Duket se këtë vjeshtë, qeveria me në krye Edi Ramën e ka nisur me një mision të ri: “të rrisim leshtë”.

Nëpër intervista apo takime të ndryshme, duke nisur nga Edi Rama për të vijuar te ministrat apo këshilltarët e zv.ministrat e tij, dikush ka filluar të rrisë mjekrën e dikush të rrisë flokët.

Kryeministrin Edi Rama e kemi parë së fundmi me mjekër të gjatë e të thinjur, e madje disa kanë sugjeruar se po mundohet t’i ngjajë Ismail Qemalit.

Por Rama është ndër të fundit që ka nisur të ndjekë këtë trend të ri në qeverinë e tij. Në fakt ndër të parët që kemi parë me mjekër të zgjatur, kanë qenë zv.kryeministri Erion Braçe i cili ka vënë mjekër prej kohësh, duke marrë një pamje të një moshe më të madhe.

Po ashtu kishim edhe ish-ministrin e Brendshëm Samir Tahiri, i cili që kur la karrigen e deputetit rriti mjekrën. Siç duket telashet e tij me drejtësinë bënë të vetën. Mbase emri i tij nuk shkon 100% me këtë shkrim, se ai nuk është më pjesë e qeverisë por ishte ndër “pionerët” e trendit të mjekrës në qeveri.

Por në atë kohë mjekra e zgjatur nuk ishte në masë brenda qeverisë.  

Gjatë kësaj vere, i pari që ra në sy për rritjen e mjekrës ishte këshilltari i Ramës për median dhe komunikimin Endri Fuga. Ai u pa fillimisht gjatë pushimeve me partneren në jug, e më pas edhe në evente zyrtare.

Më pas u vu re Artan Shkreli, zv.ministri i Infrastrukturës, i cili u shfaq me shumë flokë dhe me volum si të ishte ndonjë aktor hollivudian, kur deri para pak kohësh ishte e qartë se kishte probleme të vazhdueshme me rënien e tyre. Siç duket Shkreli do i jetë nënshtruar mbjelljes së flokëve ose ndonjë lloj tjetër trajtimi estetik.

Më pas ishte Edi Rama që do tërhiqte vëmendjen e medieve me mjekrën e zgjatur, pas tij edhe personazhe të tjera në qeverinë e tij.

Bledi Çuçi prej vitesh linte pak mjekër, por po të krahasosh fotot e tij të fundit në rrjetet sociale, mjekra e tij është pak më e gjatë se zakonisht e nuk do ishte çudi nëse do vazhdonte ta zgjaste edhe më njëlloj si pjesa tjetër e kolegëve të tij.

Nuk e dimë pse Rama dhe rilindasit e tij, qofshin ministra, këshilltarë apo pa poste politike, kanë zgjedhur të bëjnë këtë ndryshim në pamjen e tyre.

Por diçka është e qartë. Sa herë që qeveria e Ramës ka patur probleme, ai e ka zhvendosur fokusin e medieve njëherë te pantallonat e tij, atletet e siç duket tanimë edhe te gjatësia e mjekrës së tij dhe e të besuarve të tij gjithashtu.

Ky ndryshim masiv në look, vjen kur ka mbetur vetëm pak kohë deri në përgjigjen që presim në lidhje me negociatat nga Komisioni Europian./Hashtag.al

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*