Templates by BIGtheme NET

“Prokuroria çoi në Angli mostrën e zërit të marrë me 22 e 25 korrik, Agron Xhafaj iku në Itali më 16 korrik” – Salianji

Demokrati Ervin Salianji ka deklaruar nga Gjykata e Krimeve të Rënda se ka paraqitur prova të reja në procesin ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ai tha se prokuroria ka falsifikuar aktin e ekspertimit të mostrës së zërit të Agron Xhafajt, duke çuar në Itali jo zërin e tij, por zërin e një personi tjetër, duke qenë se mostra që është dërguar është marrë në datat 22 korrik e 25 korrik ndërkohë që Xhafaj është vetëdorëzuar në Itali më 16 korrik.

“Në mënyrë të vazhdueshme kemi denoncuar manipulimin e Dosjes Xhafaj. Sot jemi në një situatë të re, të provave të reja të dala edhe gjatë gjykimit. Një proces që kërkon të çojë përpara drejtësisë ata që kanë akuzuar aferën e trafikut të drogës nga mafia qeveritare. Sot dua t’ju paraqes prova të reja. Më e rëndësishmja është falsifikimi i aktit të ekspertimit nga prokuroria dhe avokati i Xhafajt në datë 15, Agron Xhafaj jep mostrat e zërit pranë prokurorisë dhe OPGJ-së. Proceduralisht është marrë zëri në rregull duke qenë të pranishëm në prani të prokurorit, ekspertit të kriminalistikës dhe oficerit të OPGJ-së. Në datë 16 Agron Xhafaj dorëzohet vullnetarisht për të kryer dënimin në Itali, pavarësisht se kishte 10 vite që jetonte i lirë. Pasi Italia refuzoi të merrte zërin pasi nuk ishte marrë në rregull, në Angli nuk u dorëzua mostra e marrë në prokurori por dy mostra të reja të marrë në datë 22 korrik dhe 25 korrik, kohë në të cilën Agron Xhafaj nuk ndodhej në Shqipëri por në burg në Romë. Prokuroria nuk ka dërguar në Angli mostrën e Agron Xhafajt, por një mostër që nuk dihet se kujt i përket, është i Agron Xhafajt apo i Fredi Alizotit.”

Më tej, Salianji, tha se dëshmitari Fredi Alizoti është dënuar edhe 4 herë të tjera ndërsa me dëshminë e rreme të tij po përpiqet të shpëtojë një grup të struktuar kriminal ku përfshihen zyrtarë të lartë.

“Po ashtu për herë të parë bëj publike të paktën 4 dënime që kemi gjetur deri tani të dëshmitarit të rremë me anë të të cilit kanë shpëtuar nga dënimi një grup të strukturuar kriminal, Alfred Alizoti. Në njërin nga dënimet, Fredi Alizoti ka bërë pikërisht atë që ka bërë edhe në rastin e Agron Xhafajt. Në vendimin e gjykatës thuhet se shtetasi Alfred Alizoti apo Alfred Rama ka krijuar një situatë të rreme me shtetasin Artur Bregu sikur grindeshin me njëri-tjetrin dhe kur janë afruar kanë vjedhur me dhunë qytetarin në makinë. Prokuroria nuk ka marrë asnjë masë as ndaj grupit të strukturuar kriminal Xhafaj-Balla-Veliu-Nushi-Marko e as ndaj ish-prokurorit Osmani.” – mbylli Salianji.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*