Templates by BIGtheme NET

Vjosa Osmani pranon koalicionin me Albin Kurtin

Kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani, ka pranuar ofertën për koalicion nga vetëvendosja.

Ajo e ka njoftuar këtë me anë të një statusi në “Facebook” ku shkruan se qytetarët e Kosovës vendosën për ndryshim dhe i takon opozitës së djeshme, VV e LDK që ta bëjnë këtë.

Në statusin e saj Osmani thekson se 20 vjetët e saj si anëtare e LDK-së dhe në institucionet e Kosovës kanë qenë një rrugëtim i vështirë me pengesa e sfida. Ndërsa falenderon mbështetësit e LDK-së për besimin në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen.

I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim. Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.” – shkruan Osmani.

Në fund Osmani shkruan se qytetarët me votën e tyre përcaktuan qeverinë e re që është opozita e djeshme duke shtuar se për të nuk ka asnjë alternativë tjetër veç koalicionit me Vetëvendosjen, koalicion që ka shumë sfida para vetes duke pasur vetëm një interes, atë të qytetarëve të Kosovës.

“Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës. Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam. Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund! E juaja, Vjosa.” – shkruan Osmani në Facebook.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*