Vendosni fjalën kyçe....

Balliu pas shpjegimit të policisë: Ju sfidoj të thoni një vend ku protestohet pa bllokuar rrugën


Ish-deputeti Klevis Balliu ishte mes qytetarëve përballë Drejtorisë së Policisë, kur iu lexua shpjegimi zyrtar i Policisë lidhur me arrestimin e tre banorëve të Unazës.

Balliu tha se nuk kishte njeri që të mos e dinte se në zonën e Astirit kishte protesta në orën 18:30 dhe për më tepër sfidoi qeverinë, policinë gazetarët dhe këdo, që të përmendin një vend ku protestohej pa bllokim rruge.

“Qëndrimi i policisë është që këta banorë kanë bllokuar rrugën. Është lojë fjalësh. Dje ata ishin në protestë siç kanë qenë si çdo ditë për një vit. Kur bëhet protestë, bllokohet rruga.  Unë ftoj sot një gazetar, një analist, një polic, një deputet, një qeveritar,  një dreq një shejtan, të më nxjerrë mua një protestë të vetme në të gjithë Europën dhe në të gjithë Botën ku nuk është bllokuar rruga. Ai ligj është justifikim për të bërë dhunë dhe arrestime te Unaza, për të shuar protestën dhe të drejtën për të protestuar.

Edi Rama kërkon rikthimin e diktaturës dhe të nenit famëkeq  për Agjitacion dhe Propagandë.

Tani unë e ftoj Edi Ramën dhe Prokuroren e Përgjithshme të Protestonte.  Zonjë e Nderuar, ke 9 muaj që ke hapur një hetim për aferën korruptive te Unaza? Kush është arrestuar apo pse s’është arrestuar?

E dyta, kjo protestë a ka 12 muaj mor zotëri?! Pse e nxore të Jashtëligjshme sot?

Drejtoria e Policisë së Shtetit është njoftuar për këtë protestë, nuk ka njeri të mos e dijë që nuk kishte protestë në orën 6 e gjysëm ka protestë këtu.

Qytetarët shqiptarë do protestojnë sa herë tëketë korrupsion, sa herë të shohin kriminelë që futen në zyrat e shtetit. Ju ftoj të shihni si janë pallatet përballë banesave të këtyre banorëve. Te shtëpia e këtyre banorëve do bëhet ndërtimi i kullave për të pastruar para.

Kush i blen ato shpia? Askush. Ato shërbejnë vetëm për pastrim parash.

Dua ta specifikoj. Kam hallin edhe të efektivëve të policisë që u jepet një urdhër shko këtu e shko atje. Nuk ka pse përplasen efektivët e policisë me qytetarët.

Unë e besoj se policët e thjeshtë nuk mendojnë se është kundra ligjit të protestosh. Këto arrestime dhe këto provokime kanë pasoja. Duke iu arrestuar djalin, nëna mërzitet. Përse duhet të shkojmë ne në vëllavrasje? Përse duhet të shkojmë ne në përplasje? Çfarë lidhje kanë këta efektivë me aferën te Unaza? Këta marrin nga 450 mijë lekë.”, tha Balliu.

Policia e Tiranës reagoi më herët lidhur me arrestimin e tre personave, banorë të Unazës së Re. Përmes një njoftimi, policia thoshte se kishte marrë informacion se Skënder Doda, Gramoz Shehu dhe Ilir Katiraj, kishin bllokuar rrugën.

Ndalimi i këtyre banorëve lidhet me ndryshimet e reja në Kodin Penal pasi bllokimi i rrugës konsiderohet si shkelje e ligjit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *