Templates by BIGtheme NET

Gjyqtarët i përgjigjen Ramës: Ndarja e pushteteve në themel të demokracisë, KLGJ e ndërkombëtarët të reagojnë

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i janë drejtuar me një deklaratë kryeministrit Rama pas akuzave dhge sulmeve të këtij të fundit në seancën e djeshme në parlament.

Në deklaratë ata theksojnë se qëndrimi i kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë ndaj gjyqësorit nuk i shërbejnë pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe besojnë besimin e qytetarëve ndaj reformës në drejtësi.

“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë përcjellin me shqetësim qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve. Shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë. Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.” – thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhet se parimi i ndarjes së pushteteve qëndrn në themel të demokracisë ndërsa theksohet se organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve anë mbështetur që në fillim reformën në drejtësi kurse qëndrimet agresive të kohëve të fundit sjellin pasoja të dëmshme për reformën.

“Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit. Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi. Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor. Ndërsa qëndrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit”, thuhet në pjesën e mbetur të deklaratës.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*